Ibraimi: Vdekja e Aliut është një humbje e madhe 

Futboll

Ibraimi: Vdekja e Aliut është një humbje e madhe 

Nga: K.G.. Më: 12 janar 2023 Në ora: 18:32
Ibraimi dhe Aliu

Ikja në amshim e Beqir Aliut ka pikëlluar në përgjithësi komunitetin e futbollit të Kosovës.

Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Reshat Ibraimi, thotë se është një humbje e madhe jo vetëm për FC Prishtinën.   

“Lajm i hidhur nga Prishtina. Paska ndërruar jetë Beqir Aliu, kryetari i parë i FC Prishtina, pas pavarësimit të futbollit të Kosovës nga ai ish-jugosllav në vitin 1991, njëri ndër figurat më të rëndësishme të futbollit të Kosovës, njëri ndër njerëzit e parë që i kishte thënë jo ish-regjimit serb. Në krye të tij, Prishtina kishte fituar disa tituj kampioni, kupa e superkupa të Republikës së Kosovës. 

Kjo foto (e shkrepur nga gazetari i njohur Gani Kosumi) që po e shihni është me tashmë të ndjerin Beqir Aliu, duke e intervistuar në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Është foto e 11 gushtit 1999 pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur Prishtina ishte kthyer në stadiumin e saj, pas dëbimit nga forcat serbo-jugosllave. 

Më 11 gusht 1999 u luajt një ndeshje vëllazërore mes Prishtinës dhe Bashkimi të Kumanovës (1:1), me ndërmjetësimin e ish-futbollistit të mirënjohur Suad Keçi.   

Për fund mund të them se vdekja e Beqir Aliut është një humbje e madhe për Prishtinën dhe futbollin e Kosovës. Veprat dhe sakrificat e tij janë të paharrueshme.

Nga zemra e shpirti i shprehu ngushëllimet e mia për familjen e tij dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën këtë figurë të nderuar të futbollit kosovar”, ka shkruar Ibraimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat