Bëhen bashkë legjendat e Kosovës, që dridhen një ish Jugosllavi, nga Zagrebi e në Beograd

Futboll

Bëhen bashkë legjendat e Kosovës, që dridhen një ish Jugosllavi, nga Zagrebi e në Beograd

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 shkurt 2023 Në ora: 14:48
Nga e majta Ramiz Krasniqi, Jusuf Tortoshi, Agim Cana dhe Edmond Rugova

Një takim interesant mes legjendave të futbollit të Kosovës. 

Emra që nuk harrohen kurrë, që bënë historinë e futbollit, që e çuan në këmbë një ish Jugosllavi, nga Sllovenia, Kroacia, Vojvodina, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Serbia dhe Mali i ZI.

Edmond Rugova, Agim Cana, Jusuf Tortoshi e Ramiz Krasniqi, sot u bënë bashkë në njërën nga kafiteritë e Prishtinës, duke biseduar gjerë e gjatë dhe kujtuar kohërat e arta të Prishtinës, se si i mposhtën 3:1 (shënues ka qenë edhe Agim Cana) ekipet si Cërvena Zvezdën në Beograd me 16 tetor të vitit 1983, pastaj Partizanin me 2:1, Dinamon e Zagrebit 3:2, Velezhin 2:0, baras (0:0) me Hajdukun, po flasim për vitin 1983. 

Rugova, Cana, Tortoshi e Krasniqi, lojtarë shembullorë në fushë në vitet e 80-ta, që kishin pas vete një ushtri –  30-40 mijë shikues në stadiumin e Prishtinës.

E diela apo e mërkura, sa herë që kishte ndeshje në Prishtinë, ishte dasmë futbolli.

Protagonistët e lartpërmendur, dhanë shumë për futbollin, shkruan historinë më të lavdishme në krye me kapitenin Fadil Vokrrin, Ramadan Cimilin, Fadil Muriqin, Kujtim Shalën, Mensur Nexhipin, Faruk Domin, Sahit Kelmendin, Xhevdet Muriqjn, Rifat Mehinoviqin, Favzi Ramën, Faton Domin, Rafet Prekazin etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat