“Playmakers” po kthehet në një projekt mjaft të dashur për vajzat e vogla kudo në Shqipëri

Futboll

“Playmakers” po kthehet në një projekt mjaft të dashur për vajzat e vogla kudo në Shqipëri

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 17:05
“Playmakers” po kthehet në një projekt mjaft të dashur

Projekti “Playmakers” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n dhe kompaninë e famshme të filmave po shtrihet gjithnjë e më shumë në shkollat e vendit dhe në qytetet të ndryshme, duke u kthyer në nja aktivitet mjaft të dashur për vajzat e vogla.

Ky program i FSHF-së synon të sigurojë më shumë mundësi për vajzat që të dashurohen me futbollin, teksa bashkëpunimi emocionues me “Disney” është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës 5 deri në 8 vjeç, të cilat nuk kanë luajtur kurrë futboll, për të përjetuar lojën për herë të parë.

“Playmakers” ka gjithashtu si qëllim t’i afrojë vajzat me botën e bukur të futbollin: të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.

Këtë fundjavë dy trajneret e “Playmakers”, Entela Ndreka dhe Mikela Kakeli ishin në shkollën “Rreze Drite” në Tiranë për të vijuar me seancën e radhës stërvitore me një grup vajzash të vogla. Kur pyeten nëse i pëlqen futbolli ato shfaqen shumë entuziaste, sepse argëtohen me shoqet duke luajtur, teksa shfaqin dëshirën për të luajtur futboll edhe kur të rriten.

Sipas përgjegjësit të futbollit të fëmijëve në FSHF, Andi Zëre, këtë vit ka pasur një interes të shtuar dhe projekti është shtrirë në më shumë qytete krahasuar me vitin e kaluar. Shumë më shumë shkolla kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij programi mjaft të dashur për vajzat e vogla.

“Projekti Playmakers në këtë seozn të dytë ka pasur një rritje të konsiderueshme në pjesëmarrje, ka pasur më shumë qendra dhe qytete që i janë bashkuar projekti Playmakers në këtë edicion.

Federata Shqiptare e Futbollit ka në fokusin e saj kryesor futbollin e fëmijëve, veçanërisht vajzave, dhe ky projekt ndihmon në promovimin e futbollit te moshat e vogla të vajzave.

Ky projekt ndihmon në masivizimin e futbollit, ndihmon në promovimin e futbollit në mosha të hershme dhe dihet që futbolli i shërben aktivitetit fizik dhe socializimit mes fëmijëve”, – tha Andi Zëre duke folur për Fshf.org.

Ndërsa, trajnerja Entela Ndreka vlerëson faktin se vajzat janë shumë të kënaqura kur marrin pjesë në seancat e “Playmakers” dhe benefitet që ato marrin janë të shumta.

“Ne sot jemi te shkolla Rreze Drite ku po zhvillohet seanca e radhës stërvitore e Playmakers, gocat ndërkohë që po luajnë janë shumë të gëzuara e të kënaqura, kanë marrë pjesë masivisht në këtë projekt.

Që pas trajnimit të fundit që ne kemi bërë me trajnerë të rinj, kemi vënë re që shumë shkolla kanë shfaqur interes dhe normalisht FSHF i ka mundësuar bazën materiale të nevojshme për seancat stërvitore. Si trajneret dhe vajzat që marrin pjesë në këtë program janë shumë të lumtura, kemi pasur shumë pjesëmarrje këtë vit.

Kjo është një grup-moshë shumë e vogël, pra vajzat janë të moshas nga 5 deri në 8 vjeç dhe janë shumë të interesuara për të luajtur futboll. Benefitet kryesore që fëmijët e vegjël marrin nga këto seanca janë aftësitë sportive, të qëndrueshmërisë, aktiviteti fizik, që është një nga arsyet kryesore për zhvillimin e këtij projekti, gjithashtu edhe socializimi me njëra-tjetrën”, – tha Ndreka.

FSHF synon të zhvillojë një mjedis futbolli ku çdo vajza mund të gjejë një vend të sigurt dhe të kënaqshëm për të luajtur.

“Playmakers” do të ndihmojë federatën që të angazhojë vajzat e reja që luajnë futboll për herë të parë dhe të krijojnë mundësi që ato të luajnë rregullisht, duke ndihmuar kështu në rritjen e pjesëmarrjes së përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat