Lulzim Shala tregon se si e kthyen këngën besa besë në anim për Prishtinën 

Futboll

Lulzim Shala tregon se si e kthyen këngën besa besë në anim për Prishtinën 

Më: 7 mars 2023 Në ora: 16:27
Lulzim Shala

Vitet e krenarisë, vitet e 70-ta dhe të 80-ta, vitet kur sporti i Kosovës ka shënuar rezultate kulmore, si në futboll, boks, hendboll, basketboll (femrat) etj. 

Tifozët ishin zemra e çdo klubit.

Si u transformua këngë besa besë dhe në anim për klubin e futbollit Prishtina, që pak kush e di.

Image

Pamje nga ndeshja Prishtina - Hajduku, në vitet e 80-ta

Kush ishin protagonistët që e jetësuan këngën? 

Tifozeria e flaktë e Prishtinës, që në vitet e 80-ta, i ngjante tifizerisë argjentinase, saqë stadiumi i Prishtinës gati sa shpërthente sikur vullkani nga brohoritjet dhe kënga besa besë, që e këndonin në kor mbi 35-40 mijë shikues, si në ndeshjen me Hajdukun e Splitit, Cërvena Zvezdën e Beogradit, Dinamon e Zagrebit, Partizanin e Beogardit, Velezhin e Mostarit etj.

Skuadrat e ish Jugosllavisë, ishin të shtangur jo vetëm nga atmosfera si në stadiumet argjentinase por edhe nga kënga që jehonte në kor në të katër anët e stadiumit.

Këndohej kënga “Besa besë për Prishtinën jetën du me dhënë”.

Sot kjo këngë e emocionon deri në pikën e fundit, Lulzim Shalën, gazetarin e mirënjohur sportiv, njeriu që së bashku me Gazmend Lilën e jetësuan këtë këngë në mesin e tifozëve.

Kjo këngë që u jetësua në anim për Prishtinën, është bërë nga 5-6 nxënës të gjimnazit në mes të viteve të 70-ta.   

Lulzim Shala tregon fije e për pe se si e transformuan këngën dhe sot është hit kudo.  

“Shumë pak e dijnë, me të vërtet sepse me të vërtetë nuk është fol për këtë gjë.

Kënga besa besë ka ekzistuar si këngë popullore, por ne si rini në atëkohë e kemi modifikuar dhe e kemi kthyer në diçka tjetër, në anim për Prishtinën.

Është gjenerata e gjimnazit të viteve 75, 76 e 77-të.

Kur kemi qenë dhe ne kemi kënduar vazhdimisht në gjimnaz. 

Ka qenë një krizë në klubin e Prishtinës pas kualifikimeve të viteve 1971-72-73 dhe animi ka qenë shumë i vogël. 
Shkojshin pak shikues në stadium. 

Ne si rini, bëmë diçka, që t’i angazhojmë njerëzit, të anojnë për Prishtinën, klub i zemrës. 

Dhe erdhëm si përfundim që t’i angazhojmë dhe t’i bëjmë disa këngë, këngë popullore, por me instrumente, me ato instrumente tradicionale, me def dhe tarabuk. 

Edhe ashtu kemi filluar, kemi shkuar me Gazmend Lilën, Naser Abdullahun, Ferat Islamin, grupi i tifozëve nga ‘Tophane’, ‘Pazarxhnjtë’, ashtu duke kënduar, prej hotelit ‘Bozhuri’ tash ‘Swiss diamond’, shkonim në stadium, edhe fillonim animin, fillon edhe mu ngjallë klubi, edhe tifozeria filluan me ardh në numër shumë më të madh. 

Modifikimin e kemi bërë në gjimnaz. Hajde të bëjmë një potpuri, zakonisht të shtëpia e Gazmend Lilës, kemi shku atje në shtëpi, kemi bë listën që mi këndu këngën, por me qit këngën besa besë diku në mes por mos me vërejt nga pushteti i atëhershëm që po këndohet diçka që ka qenë e ndaluar.

Pra besa besë është kënduar për shoqni jetë du me dhënë, e kemi kthyer për Prishtinën jetën du me dhënë, në mes këngës mes potpurive që mos mu vërejt atëkohë. 

Edhe ai ka qenë qëllimi kryesor, gjënë e parë që e kemi bërë kemi kaluar nga pjesa perëndimore në lindje, perëndimi ka qenë gjithmonë më i ftohtë për anim, çka të bëjmë shkojmë në lindje dhe atje të tubohen njerëzit që duan me anuar për Prishtinën dhe ashtu ka filluar”, tha Shala për emisionin “Ora 7”. Çfarë i ka thënë djali i Fehmi Sejdiut? “Mund të them lirshëm, modestia të shqiptarët nganjëherë nuk është element i rëndësishëm apo element vendimtar, kjo ka kaluar një kohë të gjatë, ka qëlluar djali i Fehmi Sejdiut, i cili ma ka përmendur para disa jave, unë do ta shkruajë një libër ku do ta theksoj tifozerinë, ku edhe ai ka qenë (Agron Sejdiu) dhe do ta përmendi se ju me Gazmend Lilën e keni qit këngën besa besë.

Bile i pata thënë lere Agron atë punë se është vjetruar por duket se ka ardh momenti ndoshta me treguar atë storje që ka qenë histori në vete praktikisht”, tregon më tej.

Shala është i emocionuar sa herë që futet në stadium dhe për këtë arsye: “Beso, e ka efektin e emocionit të jashtëzakonshëm, kur hyri Prishtina në ligën e parë ish jugosllave, këndohej nga 40 mijë veta, besa besë, besoj emocion ka qenë i jashtëzakonshëm.

Thosha: A jam unë e Gazmendi, ata që e kemi promovuar praktikisht këtë këngë në stadium.

Emocion i veçantë, edhe sot është emocion i veçantë, sot është hit dhe përmendet çdo kund, e ka përmendur edhe Ushtria Çlirimtare Kosovës, e ka kënduar këtë këngë në luftë e liri, gjitha poret e jetës është kënduar kjo këngë.

E ka efektin e vet, emocionet e veta të jashtëzakonshme.

Sa herë që shkeli në stadium më kujtohet rinia, gjenerata që përmenda më lart, sa herë shikoj pjesë e lindjes me kujtohet ajo kohë e jashtëzakonshme, kohë e pa kohë themi ashtu por me të vërtet një emocion i veçantë.

Më kujtohen top ndeshjet në elitën e futbollit ish jugosllav, mbi 40 mijë shikues, çdo lëvizje me kujtonte edhe ndeshjet në Argjentinë, ato luhatjet e publikut, ka qenë atmosferë e jashtëzakonshme, kur kah fundi fitonte Prishtina si zakonisht, kur këndohej kënga besa besë për Kosovën jetën du me dhënë.

Me të vërtetë edhe tash e ndjenjë atë emocion të veçantë që më ka në përshkuar gjithë jetë.

Sa herë e dëgjoj atë këngë më kujtohet ajo periudhë e veçantë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat