Marku dhe Jakupi shpalosin objektivat

Futboll

Marku dhe Jakupi shpalosin objektivat

Më: 21 maj 2023 Në ora: 13:37
Shqipëria

Kombëtarja shqiptare ndërpreu mesditën e sotme përgatitjet në Durrës, për t’u nisur drejt Bosnje-Hercegovinës, aty ku do të marrë pjesë në turneun e përvitshëm të organizuar nga Federata Boshnjake në datat 23-26 maj, “Josip Katalinski Skija”.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Armand Damo ka nisur stërvitjet që prej pasdites së të premtes në Durrës.

Në seancën e fundit stërvitore në Shqipëri, fshf.org zhvilloi dy intervista me dy prej kuqezinjve të vegjël, një prej të cilëve rishtar në grupin kuqezi, ndërsa tjetri vjen për herë të tretë.

Për qendërmbrojtësin e Shënkollit, Petro Marku, është gjithmonë krenari të luash për ekipin kombëtar U-15.

Djaloshi kuqezi nënvizon se nuk mungon talenti në këtë grup prej 21 lojtarësh, ndërsa thekson se do të bëjnë maksimumin në turneun në Bosnje. Ndër të tjera, Petro Marku flet edhe për objektivat e tij personale, një prej të cilave është edhe të luajë me ekipin kombetar A.

“Quhem Petro Marku, luaj në ekipin e Shënkollit si qendërmbrojtës. Kam marrë një ftesë të jem në ekipin Kombëtar.

Nuk është hera ime e parë, por vij për herë të tretë dhe ndihem shumë krenar.

Si duket grupi? – Çunat janë shumë të mirë, po mundohemi të ambientohemi me çunat që kanë ardhur nga jashtë. Ka shumë talent brenda grupit. Me çunat shkojmë shumë mirë në përgjithësi.

Turneu në Bosnje – Do mundohemi të bëjmë maksimumin me të gjithë çunat dhe shpresojmë ta fitojmë sepse kemi grup shumë të mirë. Mendoj se mund t’ia dalim.

Objektivat e së ardhmes – Ëndrra ime më e madhe është që të luaj në një ekip Premier League dhe të luaj me Kombëtaren shqiptare”

Vetëm 13 vjeç, Edin Jakupi vjen për herë të parë të luajë për ekipin kombëtar. Shqiptari i vogël nga Maqedonia e Veriut ndihet i lumtur që do të luajë për Shqipërinë U-15, ndërsa rrëfen për fshf.org edhe momentet e ftesës.

“Unë jam Edin Jakupi, 13 vjeç dhe luaj tek ekipi i Rapidit të Vjenës. Jam shumë i lumtur që do të luaj me ekipin kombëtar.

Është hera ime e parë që vij të luaj për Shqipërinë.

Familja e priti shumë mirë lajmin që do të luaj për Kombëtaren shqiptare. Lajmin e mori i pari babi dhe më tha që më kanë thënë ata të Shqipërisë për të luajtur.

Unë e prita me qejf”- thotë Edini, i cili tregon gjithashtu edhe se si e kanë pritur djemtë e tjerë të ekipit, objektivat e Shqipërisë në këtë turne dhe synimet për të ardhmen.

“Çunat e ekipit më kanë pritur mirë dhe atmosfera është shumë e mirë”.

“Ne duam të fitojmë turneun e Bosnjes”.

“Dua të luaj për Barcelonën dhe për Shqipërinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat