Ausilio takim me drejtuesit e Chelsea-t

Futboll

Ausilio takim me drejtuesit e Chelsea-t

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 17:31
Ausilio

Aksi Milano-Londër pritet të jetë mjaft i nxehët këtë verë, me Interin dhe Chelsea-n që po punojnë për të realizuar një transferim ku përfshihen disa futbollistë.

Londinezët janë të interesuar për kamerunasin e Interit, Andre Onana, i cili pas paraqitjes mbresëlënëse në finalen e Champions League ka tashmë një vlerë edhe më të madhe në merkato.

Zikaltrit e kanë bërë të qartë se pa 70 milionë euro nuk do të heqin dorë nga portieri që ka fituar zemrat e të gjithëve në Milano, por edhe admirimin e shumë klubeve të mëdha në Europë.

Megjithatë te Chelsea kanë në dorë ‘disa gurë’ që mund të ulin çmimin. Bëhet fjalë për futbollistë si Chalobah, Koulibaly e Lukaku, të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e Pochettinos, por që mund t’u bëjnë shumë punë zikaltërve.

Piero Ausilio pritet të fluturojë drejt Londrës këto ditë për të diskutuar për kalimin e Onanës te Chelsea dhe për marrjen në Milano të Chalobah e Lukakut menjëherë, por edhe të Koulibaly në huazim për një sezon.

Në këtë mënyrë, zikaltrit do të mund të kompletojnë prapavijën me një lëvizje, ndërsa për të zëvendësuar Onanën, në krye të listës është portieri Vicario, i cili mund të përfundojë në Milano për një shifër prej 10-12 milionë eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat