Xavi “shenjtëron” Messin e ri, rezultatin 3-0 ndaj Real Madridit e konsideron “mashtues”

Futboll

Xavi “shenjtëron” Messin e ri, rezultatin 3-0 ndaj Real Madridit e konsideron “mashtues”

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 12:21
Barcelona

Xavi Hernández, pas fitores 3-0 të Barcelonës ndaj Real Madridit në një ndeshje klasike parasezonale në Dallas (SHBA), vuri në dukje paraqitjen e shkëlqyer të të riut Fermín López, i cili shënoi një gol spektakolar dhe dha një asist. Ka nga ata që po e konsiderojnë edhe si Messi i ri, pavarësisht se është shumë shpejt për konkluzione të tilla.

“Më pëlqen ajo që shoh nga Fermín.

Më pëlqen vetëbesimi i tij, që guxon, që nuk ka frikë, që kërkon topin, që luan lehtë dhe thjeshtë, që ka pasimin e fundit.

Dhe sot ai ka bërë diferencën, – siguroi trajneri i Barcelonës në një konferencë për shtyp.

– Ai shënoi një gol të mrekullueshëm me këmbën e majtë dhe dha një pasim për gol me këmbën e djathtë. Është një futbollist që mund të na ndihmojë shumë përpara sezonit. Talenti që ka në pjesën e fundit të fushës është ajo që na ka munguar sezonin e fundit.

Ai i ka të dyja profilet: mund të luajë në të majtë, në të djathtë, si anësor fals që vjen brenda…

Është një futbollist që mua personalisht më pëlqen, shoh personalitet tek ai. Është 20 vjeç, por ka personalitet, dëshirë, uri dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Fiton 3-0 ndaj Real Madridit, trajneri blaugrana e konsideron një sprovë të madhe: “Nga këndvështrimi im, loja ka qenë e barabartë. Ka pasur momente që kundërshtari na ka vënë në vështirësi, në shumë momente të tjera e kemi dominuar ne lojën, gjë që na pëlqen. Është ajo që duam, aq më shumë kundër një kundërshtari që jeton shumë me kundërsulmin dhe tranzicionet.

Real Madridi është një rival shumë, shumë fizik. Tani për tani mund të jetë rivali më fizik në botë. Rezultati është shumë i favorshëm për ne, por nuk kemi luajtur aq mirë sot apo një ditë tjetër kaq keq”, – shtoi Xavi për humbjen 5-3 të së mërkurës kundër Arsenalit.

Në lidhje me duelin kundër Real Madridit, i cili përplasi pesë topa në traversë dhe shtyllë, Xavi tha se 3-0 përfundimtar mund të jetë “mashtrues”: “Real Madridi ka pasur gjithashtu shumë shanse dhe ne nuk duhet të flemë mbi dafina me këtë rezultat”.

Ai gjithashtu vlerësoi Dembélé, emri i të cilit është përmendur së fundmi si një largim i mundshëm nga Blaugrana-t: “E kam thënë shumë herë se shoh potencialin që ai të jetë lojtari më i mirë në botë në pozicionin e tij. Është një futbollist shumë i rëndësishëm për ekipin tonë, e shoh të lumtur në Barcelonë”.

Së fundi, Xavi shprehu dëshirën e tij që Barcelona të forcohet pak më shumë përpara mbylljes së merkatos verore dhe dha si shembull faktin se Real Madridi ka një skuadër më të madhe e të kompetuar se të tijtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat