Aganspahiç: Besoj në gola tjerë dhe fitore të Shkëndijës

Futboll

Aganspahiç: Besoj në gola tjerë dhe fitore të Shkëndijës

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 19:12
Aganspahiç

Heroi i kuqezinjëve në xhiron e parë të sezonit të ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, Almir Aganspahiç nuk fsheh kënaqësinë për debutimin me gol në futbollin tonë, për më shumë që ai realizim kishte vlerën e tre pikëve.

Shkëndija e Tetovës nisi kampanjën 2023/2024 me fitore 1:0 përballë Voska Sport në Ohër, me sulmuesin boshnjak që shënoi në kohën shtesë, pasi ishte aktivizuar në lojë në pjesën e dytë në vend të Elezit. 

“Sigurisht se jam shumë i kënaqur që goli im ndihmoi ekipin të niste me tre pikë sezonin.

Detyra jonë si sulmues është të bëjmë gola, e kur ato kanë vlerën e fitores kënaqësia është më e madhe.

Mendoj se merituam këtë triumf, sepse gjithë ndeshjen ishim ekipi që kërkonte fitoren, besuam deri në fund dhe për këtë u shpërblyem”, thotë Almir Aganspahiç që vazhdon të punojë intensivisht në kërkim të arritjes së gjendjes optimale fizike, sepse kyçja në ekip me vonesë e ka lënë mbrapa në aspekt të përgatitjes. 

“Më duhet edhe pak kohë për të qenë në nivelin e dëshiruar, sepse realisht jam kyçur me vonesë me ekipin.

Kur unë shkova në Slloveni, skuadra ishte në javën e tretë të përgatitjeve dhe më është dashur të punoj dyfish për të provuar të kompensoj atë që kam humbur. Besoj që për pak kohë do të jem në formën optimale”, shton Aganspahiç. 

“Starti i sezonit me fitore është tepër i rëndësishëm, posaçërisht ndaj një rivali që besoj se shumë ekipe do lënë pikë. Shtyerja e ndeshjes me Strugën na jep hapsirë të punojmë në eliminimin e gjërave negative në lojë dhe në miqësoren e planifikuar këtë mund ta bëjmë pa kurfarë ngarkese.

Besoj se me punë serioze do të kapim formën e dëshiruar”, përfundoi sulmuesi 26 vjeçar nga Bosnja e Hercegovina, Almir Aganspahiç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat