Dinamo synon një lojtar nga Turqia?

Futboll

Dinamo synon një lojtar nga Turqia?

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 11:38
Gërxhaliu

Një përforcim në mbrojtje mund të mbyllë merkaton e verës për Dinamo City.

Blutë e nisën kampionatin me humbje në derbin me Tiranën, por skuadra deri diku funksionoi mirë dhe i kishte të gjitha mundësitë për të marrë rezultat pozitiv.

Para se të bjerë gongu i mbylljes së merkatos, klubi kryeqytetas mund të federojë edhe mbrojtësin Amar Gërxhaliu.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se palët janë shumë afër akordit dhe këto ditë lojtari kosovar mund të bashkohet zyrtarisht me Dinamo City.

Qendërmbrojtësi i lindur në Vushtrri luan për Antaliasporin në Superligën turke dhe është gjithashtu pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.

Gërxhaliu është 21 vjeç dhe do të ishte një investim për të tashmen dhe për të ardhmen e Dinamos, që gjatë kësaj vere ka afruar kryesisht lojtarë të rinj në moshë, me përjashtim të kapitenit Rustem Hoxha dhe mesfushorit Fatjon Andoni. Gërxhaliu ka qenë fillimisht pjesë e të rinjve të Antaliasporit, ndërsa më pas ka kaluar te rezervat e kësaj skuadre dhe prej sezonit të kaluar është bashkuar me ekipin e parë.

Sezonin që shkoi ai është aktivizuar në katër ndeshje, kurse këtë kampionat ende nuk ka zbritur në fushë. Logjika është se qendërmbrojtësi 1.93 metra i gjatë kërkon një skuadër ku mund të luajë rregullisht dhe në këtë rast ka përfituar Dinamo.

 Dinamo ka afruar këtë verë Behiratçen dhe Rustem Hoxhën për qendrën e mbrojtjes, të dy titullarë javën e parë të kampionatit. Në stol alternativa deri tani janë Mija dhe Samake.

Trajneri Di Biaxho ka kërkuar edhe një tjetër mbrojtës qendre, për të cilin u fol se do të vinte nga Italia, por tashmë duket se ai do të vijë nga Turqia. Për krahët e mbrojtjes klubi është mjaftuar me lojtarët që ka pasur.

Për krahun e djathtë janë Albion Marku, që u rikthye nga huazimi te Teuta, dhe Silvio Vokrri. Ndërsa për të majtin, Indrit Prodani dhe Ilir Allmuça. Në këtë pozicion luan edhe braziliani Lorran, por stafi teknik e ka spostuar në mesfushë.

Gërxhaliu, nëse gjithçka finalizohet me firmën në kontratë, do të konkurrojë me Behiratçen dhe Hoxhën për një vend në formacionin blu. Megjithatë, në një kampionat të gjatë dhe në një skuadër me pretendime, si Dinamo City, ka vend për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat