Shqipëria zyrtarizon dy miqësore me Turqinë

Futboll

Shqipëria zyrtarizon dy miqësore me Turqinë

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 12:27
Shqipëria

Shqipëria U-19 do të luajë dy miqësoret e fundit ndaj Turqisë U-19 në muajin tetor, në prag të kualifikueseve të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë që do të luhet në nëntor. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord që këto dy miqësore të luhen në Turqi në muajin e ardhshëm.

Ndeshja e parë e kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Ervin Bulku është planifikuar të luhet më 14 tetor, ndërsa takimi i dytë është programuar të luhet tre ditë më vonë, më 17 tetor.

Kombëtarja kuqezi U-19 do të nisë grumbullimin direkt në Turqi, aty ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore në kuadër të këtyre dy ndeshjeve miqësore, shumë të rëndësishme në prag të kualifikueseve të Europianit për grupmoshën U-19. Lista e lojtarëve të grumbulluar do të bëhet me dije në vijim nga trajneri Ervin Bulku.

Pak javë më parë, Shqipëria U-19 zhvilloi dy ndeshje miqësore kundër Azerbajxhanit, ku mori një fitore dhe një barazim. Qëllimi kryesor i këtyre testeve miqësore është kryesisht kolaudimi i grupit përfundimtar që do të impenjohet në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian U-19, ku kuqezinjtë do të synojnë kalimin në ‘Elite Round’.

Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023. Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese, kurse faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat