Ajet Shosholli me mesazh të fuqishëm: Të jemi krenar me futbollin shqiptar

Futboll

Ajet Shosholli me mesazh të fuqishëm: Të jemi krenar me futbollin shqiptar

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 14:57
Ajet Shosholli

Trajneri i trajnerëve në vendin tonë, Ajet Shosholli, selektori i parë i kombëtares së Kosovës në vitin 1991, ka bërë një analizë të gjatë e të fuqishme për futbollin shqiptar.

“Të jemi krenar me futbollin shqiptar.

Pa dyshim që futbolli shqiptar në kohën e fundit apo më mirë të them (posaçërisht dy vitet e fundit) është në ekspanzion ose në progres dhe në afirmim të madh, jo vetëm në rajon, por edhe në mbarë Evropën.

Ky afirmim është si në aspektin individual të plotë, po ashtu edhe në aspektin kolektiv.

Image

Kosova

Në aspektin individual, kemi tani shumë futbollist që e kanë arritur afirmimin e plotë në arenën ndërkombëtare, nga të gjitha trevat shqiptare.

Është e pamundur që të përmendi të gjithë ata futbollist që luajnë në ligat Evropiane, apo ligat e tona shqiptare, do ti numërojë disa prej tyre si: Armand Broja, Milot Rashica, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda, Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Taulant Seferi, Kristian Asllani, Myrto Uzuni, Ylber Ramadani, Etrit Berisha dhe shumë të tjerë.

Në aspektin kolektiv, tani na bëri shumë krenar kualifikimi i kombëtares të Shqipërisë për Kampionatin e Evropian 2024, një xhiro para se të përfundoi turi i kualifikimeve.

Kur jemi të afirmimi apo suksesi kolektiv vlen të përmendet edhe suksesi i Ballkanit, që në mënyrë ekipore me sukses të plotë, po e përfaqëson jo vetëm futbollin kosovar, por në një mënyrë edhe futbollin regjional, pasi dihet që është ekipi i vetëm në regjion sepse Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe Mali i Zi) nuk kanë përfaqësuese të tyre në ndonjë garë ndërkombëtare.

Në ndeshjen e mbrëmshme na bënë krenar edhe djemtë tanë të kombëtares së Kosovës të cilët patën një paraqitje të shkëlqyeshme, edhe pse patëm shumë mungesa të futbollistëve standard, nuk u vërejtë fare mungesa e tyre.

Të kesh paraqitje të tillë kundër një Zvicre e cila është fuqi Evropiane në futboll dhe e cila është pjesëmarrëse pothuajse në të gjitha eventet e mëdha si është botërori apo Kampionati Evropian. Një paraqitje e tillë ka peshën e vet edhe më të madhe se në përbërje i kishim dy debutues (portierin Beka dhe M. Hyseni) dhe tre të tjerë si L. Dellova, I. Krasniqi dhe Q. Zyba që kane vetëm nga dy apo tri ndeshje paraqitje në kombëtaren e Kosovës.

Edhe pse dëshirë e të gjithë neve ka qenë që mbrëmë të kemi rezultat të plote, edhe ky barazim është shumë domethënës për kombëtaren e Kosovës.

Një dëshmi që tregoi kjo lojë dhe dy - tre lojërat para kësaj loje është se:  U demantua plotësisht teza apo teoria se Superliga e Kosovës nuk ka futbollist cilësor apo te përgatitur për kombëtaren e Kosovës, teori e cila ka mbretëruar prej pranimit tonë në UEFA e që është përcjellë vazhdimisht deri me tani. 

Këtë teori e demantuan mbrëmë Beka, M. Hyseni, I. Krasniqi, L. Dellova, Q. Zyba etj.

Nuk është qëllimi që ne tani ti ndajmë futbollistët ata të Superligës dhe ata të cilët luajnë në Kampionatet Evropiane, por e kundërta që me të gjithë djemtë tanë së bashku edhe ata që luajnë në Evropë, edhe ata që luajnë në Kosovë, të formojmë një kombëtare e cila në eventet e ardhshme do të na kualifikoj në garat ndërkombëtare.

Bravo djema dhe ju lumtë për paraqitjen e juaj të mbrëmshme, kështu luftohet, angazhohet dhe paraqitet për fanellën e Kosovës.

Por do ti kthehem edhe njëherë suksesit të merituar të kombëtares të Shqipërisë e cila prej shtatë ndeshjeve ka arkëtuar 14 pikë me katër fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje.

Ku qëndron çelësi i suksesit i Shqipërisë?

Së pari Shqipëria ka bërë përzgjedhjen e një kontingjenti të futbollistëve, prej të cilëve e kanë ndërtuar (formuar) një përbërje të ekuilibruar në të gjitha repartet dhe të sinkronizuar,  me zëvendësime adekuate, përbërje e cila gjatë gjithë lojës ka komunikim të shkëlqyeshme në mes vete.

Kjo përbërje është një gërshetim i futbollistëve me eksperiencë (Hysaj, Gjimshiti, Cikalleshi, Uzuni) etj. me futbollist e rinj (Mitaj, Asllani, Bajarami) etj.

Futbollistët e kombëtares të Shqipërisë e kanë në maksimum, lojën obliguese" gjatë gjithë lojës (është fjala në përmbushjen maksimale të detyrave që ju kërkohet, parashtrohen nga trajneri Silvinjo).

Në të gjitha segmentet e lojës, qoftë në pjesën ofensive apo defensive veprojnë gjithnjë në mënyrë të duhur.
Shqipëria po aplikon një lojë bashkëkohore dhe moderne në futboll siç është: loja me pasimin e parë apo pasimin e dytë, me pasime në thellësi dhe kur kërkohet nevoja edhe me veprime individuale apo lojë individuale, por që është e dobishme për tërë ekipin (shembull Jasir Asani shpesh me lojë individuale e që e kërkon situata kontribon ne rezultatin pozitiv të tërë ekipin.

Dhe një gjë shumë e rëndësishme se loja e Shqipërisë ka shumë automatizëm në lojë.

Dhe një komponente shumë e rëndësishme e lojës së Shqipërisë është se motivi për lojë dhe rezultat pozitiv është në maksimum, motiv i cili lidhet edhe me motivin kombëtare për rezultat dhe suksese të kombëtares.

Kur i analizojmë të gjitha këto, del se kombëtarja e Shqipërisë funksionon si tërësi kompakte, tërësi dhe kompaktësi e cila rezultoi me kualifikimin e Shqipërisë në Evropianin 2024 që do të mbahet në Gjermani.

E bukura e gjithë kësaj është se kombëtarja e Shqipërisë edhe në mënyrë gjeografike po i përfaqëson të gjitha trevat shqiptare: Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut si dhe Preshevë e Bujanoc.

Pra në përbërjen e parë të Shqipërisë kemi për momentin katër futbollistë nga Shqipëria (Hysaj, Mitaj, Asllani dhe Cikalleshi), tre nga Kosova (Berisha, Ismajli dhe Ramadani), tre nga Maqedonia e Veriut (Asani, Bajrami dhe Seferi) si dhe Berat Gjimshiti nga Bujanoci. 

Natyrisht që kjo përbërje nuk është komponuar me ndonjë dekret apo paritet, po që në mënyrë natyrale cilësia e këtyre futbollistëve e ka bërë që të kemi një përbërje të tillë.

Dhe të them edhe këtë se arkitekti i gjithë këtij projekti, pa dyshim është selekcionuesi Silvinjo, derisa mjeshtrit e realizimit të këtij projekti janë futbollistët, kurse FSHF në krye me A. Duken është mentori i këtij projekti. 

Në fund mendoj atë që e thash që në fillim se duhet të jemi krenar me progresin e futbollit shqiptar.

Dhe me të drejtë në muajin qershor (2024) në Gjermani do të skandohet refreni tani më i njohur “O sa mirë me qenë shqiptarë"”, ka shkruar në analizën e tij Shosholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat