Vjen reagimi i drejtoreshës së klubit bardheblu

Futboll

Vjen reagimi i drejtoreshës së klubit bardheblu

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 14:20
Pamje nga rrahja

Drejtoresha sportive e klubit të Tiranës, Edonisa Aliu ka reaguar pas ngjarjes së turpshme që ndodhi ditën e djeshme gjatë ndeshjes Tirana-Vllaznia për femra. 

"Jam ende e tronditur nga gjithçka drithëruese që përjetuam ne si skuadër dhe përjetova unë personalisht.

Dua të sqaroj se Klubi i Futbollit Tirana Femra u dhunua nga meshkuj të cilët duan të përçajnë fuqinë e vajzave dhe grave të bashkuara pavaresisht se cilin klub përfaqësojnë ato.

Ne u dhunuam padrejtësisht, e madje krejt papritur, dhe po ne ditëm të vetëmbrohemi, e këtë nuk do ta mohoj! Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shohim se si na godasin edhe për këtë nuk krenohem!

Është instikti njerëzor për vetëmbrojtje sa herë që të drejtat tona cënohen, aq më tepër në një datë të shënuar, që përkonte me ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

I bëj thirrje kolegeve tona të cilat mund të ishin edhe motrat, kushërirat, apo siç janë edhe shoqet tona, të mos mbrojnë dhunuesit që shtyn në degradimin e kësaj situate duke na detyruar të vetëmbrohemi në mënyra primitive për të shpëtuar jetët tona!

E vetmja e vërtetë është se dje, ne si klub, me të gjithë faktorët tonë u sulmuam në mënyrë të beftë! Jam falënderuese per familjen bardh’e blu, në të cilën ne jemi pjesë sepse dje më shumë se kurrë, ne nuk e kemi lënë njëri-tjetrin në baltë. Në të njëjtën kohë, jam po aq e pikëlluar edhe e shokuar, përtej lëndimit fizik, sesi dhuna ndaj grave dhe vajzave, nuk na gjen të bashkuara!

Nëse dje do të shihja një vajzë apo një grua, të cilës do t’i goditej koka në mënyrë të përsëritur edhe eksplicite siç më ndodhi mua, ju garantoj se do ta mbroja me trupin tim pavaresisht se cilit kamp i përkiste.

Dua t’i kërkoj të gjithëve që të mos gjykojnë nga pamjet që po serviren ne rrjet, sepse janë foto të cilat serviren për interesa të ndryshme! Pamjet e plota dhe të gjitha provat, ndodhen në polici dhe janë organet kompetente, ato që do të gjykojnë gjithçka dhe do të japin vendimet që duhet të jepen. Unë besoj dhe shpresoj që drejtësia të shkojë në vend dhe këta persona që po na përçajnë, dhunojnë, e shkatërrojnë futbollin, të vihen para drejtësisë.

Dje e kisha të pamundur të reagoja sepse isha e tronditur jashtëzakonisht shumë dhe nuk doja të bëja deklarata ndoshta të nxituara, por sot, me qetësinë më të madhe po mundohem të sqaroj gjithçka ndodhi. Dua të falënderoj edhe të gjithë ata që u interesuan për gjendjen time shëndetësore dhe ju kërkoj ndjesë që nuk kam mundur të përgjigjem", reagon Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat