Maqedonia trondit, lojtarë nga pesë vende nuk quhen më të huaj

Futboll

Maqedonia trondit, lojtarë nga pesë vende nuk quhen më të huaj

Më: 14 janar 2024 Në ora: 18:17
Struga Trim Lum

Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut ka ndërmarrë një inciativë të re sa i përket merkatos së futbollistëve të huaj për klubet e futbollit në shtetin fqinj.

Inciativa është thuajse e ngjashme me atë që ndërmori Shqipëria para disa viteve, por maqedonasit e kanë shtrirë diapazonin e shteteve ballkanike, ku futbollistët e të cilëve nuk do të njihen si të huaj në Maqedoninë e Veriut.

Padyshim që ky vendim i mundshëm i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në merkaton e klubeve në Shqipëri

Siç raporton “open-tv”, merkatoja dimërore për klubet e futbollit në Maqedoninë e Veriut hapet të hënën, më 15 janar, dhe tashmë po punohet shumë për realizimin e iniciativës, që futbollistët e vendeve të rajonit të mos trajtohen si të huaj në Maqedoni. FFM-ja, në konsultim me organet kompetente lidhur me ligjet e marrëdhënieve të punës, është në kërkim të mënyrës që kjo kërkesë të realizohet sa më shpejt dhe me iniciativën e lojtarëve të Ligës së Parë, të cilët kanë pasur një takim me presidentin Muhamed Sejdini para Vitit të Ri.

Sipas njoftimeve, lojtarët nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi nuk do të konsiderohen si të huaj në vend. Një njoftim i tillë është i pritshëm dhe një lloj reciprociteti, duke qenë se në vendet e përmendura futbollistët nga Maqedonia e Veriut tashmë prej disa vitesh luajnë si lojtarë vendor.

Për momentin, çdo skuadër e Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut ka të drejtën e 4 lojtarëve të huaj pa paguar kuota regjistrimi në FFM, dhe ka mundësi për 4 të huaj shtesë, por për secilin paguhet nga 5000 euro deri në 20000 euro për të tetin.

Një vendim i tillë do të ishte shpëtim për disa klube, dhe realiteti është se shumica e lojtarëve ndërkombëtarë që luajnë për klubet në Maqedoni janë nga vendet e përmendura. Nga ana tjetër, do të reduktohej fondi që paguhet për shumicën e të huajve, fond që ishte menduar për zhvillimin e futbollit të të rinjve në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat