Gjithçka do të nisë me duelin mes Kukësit dhe Egnatias

Futboll

Gjithçka do të nisë me duelin mes Kukësit dhe Egnatias

Më: 18 janar 2024 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

“Abissnet Superiore” do të rikthehet në fushën e lojës për të zhvilluar takimet e javës së 20-të të saj. Ekipet do të zbresin në fushë ditën e nesërme dhe të shtunën, teksa kjo javë premton spektakël me takime mjaft interesante, ku ekipet do të përplasin “brirët” për 3 pikët.

Gjithçka do të nisë me duelin mes Kukësit dhe Egnatias, sfidë që do të luhet në “Kukës Arena” duke nisur që nga ora 13:30 ditën e nesërme. Verilindorët janë të “dënuar” vetëm për fitoren, teksa në shtëpi kërkojnë të “shkelmojnë” krizën e rezultateve negative. Nga ana tjetër rrogozhinasit janë më të motivuar se kurrë për një tjetër rezultat pozitiv që do t’i mbante me diferencë ndaj ndjekësve.

Ndërkohë në orën 17:00 do të luhet në “Niko Dovana”. Teuta do të presë Tiranën në një takim mjaft të luftuar. Durrsakët do të kërkojnë vetëm 3 pikët për të shpresuar te largimi nga vendi i fundit, ndërsa kryeqytetasit nga ana tjetër synojnë të mbajnë hapin e kryesuesve dhe ndaj “djemve të detit” tentojnë një tjetër triumf spektakolar si në derbi ndaj Dinamos.

Një ditë më pas do të luhen 3 takimet e tjera. Dita do të nisë me duelin mes Erzenit dhe Vllaznisë që do të luhet në “Egnatia Arena”, ora 13:30. Shijakasit pas barazimit me Laçin tentojnë dhe kërkojnë fitoren për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë, ndërsa përballë do të kenë skuadrën e momentit në Superiore. Shkodranët prej 4 javësh kanë arritur të  “korrin’ vetëm fitore dhe ndaj shijakasve synojnë një tjetër 3 pikësh që do t’i mbante në “Final – Four”.

Në orën 17:00 do të luhen dy takime paralelisht në Tiranë dhe Korçë. Në “Arenën e Demave” do të sfidohen mes tyre Partizani dhe Laçi. Demat nuk duan hapa fals në shtëpi dhe ndaj kurbinasve do të luftojnë për një tjetër 3 pikësh, ndërkohë skuadra e Mirel Josës synon që të rikthehet te fitorja pikërisht në kryeqytet ndaj demave.

Ndërsa në Korçë, Skënderbeu pret Dinamon. Korçarët prej 4 javësh nuk e njohin fitoren dhe synojnë që para tifozëve të tyre të “shkelmojnë” krizën, ndërkohë Dinamo pas humbjes “dramatike” me Tiranën kërkon të bëjë “autokritikë” ndaj korçarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat