Egnatia “çmonton” Kukësin, tenton arratisjen në krye

Futboll

Egnatia “çmonton” Kukësin, tenton arratisjen në krye

Më: 19 janar 2024 Në ora: 15:42
Pamje nga ndeshja

Egnatia nuk ndal marshin e fitoreve në këtë fillim viti.

Pas suksesit me Skënderbeun triumfon 4-1 edhe në transfertën e Kukësit ku i duhet pak më shumë se gjysmë ore lojë për të çmontuar verilindorët, që ndiejnë gjithnjë e më shumë ftohtësinë e fundit të klasifikimit.

Praktikë e thjeshtë për kryesuesit në ndeshjen hapëse të javës së 20-të të Kategorisë Superiore me Renato Malotën që në minutën e 12-të shënon golin klasik të ish-it. Pranë vijës fatale shfrytëzon kthimin e topit mbrojtësi për golin e rrogozhinasve.

Egnatia mbetet para dhe ka mundësinë për të dyfishuar edhe dy minuta më pas, gjithsesi nuk i duhet të presë shumë për golin e sigurisë, pasi në minutën e 29 kryesori Alla akordon një penallti në favor për një faull të Felipes ndaj Zejnullahit, në duelin e 11 metrave, Tafas i kap goditjen e parë Fernandos por bjondi nxiton për ta çuar në rrjetë me tentativën e dytë për golin e 2-0.

Në të 34-tën vjen dhe momenti i Mario Gjatës, shënon golin e parë me fanellën e re sulmuesi i transferuar në këtë sesion të merkatos. Gjithçka e thjeshtë për të pas krosimit perfekt të Ndrecës nga e majta.

3-0 dhe Kukësi është në tapet, nga ku e ka të vështirë të ngrihet, pretendon për një 11-metërsh në sekondat e fundit të pjesës së parë pas një kontakti të Lamces me Malotën, por nuk ka asgjë serioze për kryesorin Alla.

Në pjesën e dytë të zotët e shtëpisë përpiqen të dhurojnë reagimin e krenarisë dhe është Atdhe Rashiti që gjen golin e flamurit në minutën e 80 kur shfaq cilësitë e tij teksa merr një top në qendër, avancon duke dribluar kundërshtarët në zonë për të ndëshkuar Alen Sherrin.

Goli i jep zemër Kukësit, që hidhet i gjithi para në finale, duke lënë hektarë bosh për Egnatian, që i shfrytëzon në të 89-tën, kur Joel dhe Jurguens Montenegro kanë gjithë gjysmëfushën të lirë, teksa avancojnë me pasimin e brazilianit që shfrytëzohet me një harkim nga sulmuesi nga Kosta Rika që shënon golin e parë me fanellën e re vetëm pak ditë pas transferimit në Rrogozhinë.

4-1 me dy blerje të janarit që shënojnë, për fitoren e dytë në po kaq ndeshje në këtë vit kalendarik, më mirë nuk ka ku të shkojë për Egnatian, që tenton arratisjen në krye duke rritur presionin ndaj ndjekësve, ndërsa për Kukësin është ndeshja e 10-të pa fitore, seri prej 4 humbjesh dhe 6 barazimesh, me verilindorët që nuk fitojnë që nga tetori i vitit të kaluar, prej thuajse 3 muajsh, shifra që konfirmojnë krizën e thellë në kampin verilindor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat