FFK-ja fillon me seminare kundër dukurive negative në futboll

Futboll

FFK-ja fillon me seminare kundër dukurive negative në futboll

Më: 30 janar 2024 Në ora: 19:33
Pamje nga seminari

Federata e Futbollit e Kosovës nëpërmjet zyrtarit të saj për integritet të garave, Gazmend Bojniku, ka filluar ciklin e ri të seminareve 2024/2025, ku synon ndërtimin e një kornize të fortë dhe gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në sport.

Në këtë kuadër, sot në selinë e FFK-së është mbajtur seminari i parë për këtë vit kundër dukurive negative në sport me delegatët e Superligës dhe Ligës së Parë, ku të pranishëm ishin edhe Abdyl Bellopoja, kryetar dhe Isak Ejupi, anëtar i Komisionit të Garave.

Gjatë këtij seminari zyrtari për integritet të garave ka ligjëruar para pjesëmarrësve se si duhet të veprojnë në rast se përballen me njerëz që synojnë trukimin e ndeshjeve, si dhe për mënyrën e zbulimit të disa rasteve nëpër Evropë dhe Azi kur kanë qenë të përfshirë lojtarët, trajnerët dhe zyrtarë të klubeve, e të cilët janë identifikuar dhe janë përballur me drejtësinë.

Më tej, delegatëve ju rikujtua kodi i mirësjelljes së FFK-së, mekanizmat e raportimit, monitorimi dhe mbikëqyrja e basteve, bashkëpunimi që FFK-ja ka me federatat e tjera sportive, brenda dhe jashtë vendit, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të koordinuar përpjekjet në luftën kundër trukimit të ndeshjeve si dhe kuadrin ligjor dhe organet e zbatimit të ligjit për të hetuar dhe ndjekur penalisht individët e përfshirë në trukimin e ndeshjeve.

Në fund, të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur me fletushkën e re, e cila është hartuar bashkërisht me zyrtarët profesional të UEFA-së, që përmban informacione koncize, duke përçuar porosi të qarta në lidhje me parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në sport.

Pjesëmarrësit janë ndarë të kënaqur me përditësimet dhe njohuritë e reja që përfituan nga ky seminar, e të cilin e vlerësuan lart, duke dhënë përgjigjet në pyetësorin e krijuar nga UEFA dhe FFK.

Do theksuar se seminaret e tilla janë pjesë e planprogramit të UEFA-së, të cilat janë të hartuara dhe të kategorizuar sipas grup-moshave të lojtarëve-lojtareve, zyrtarëve të klubeve dhe aspekti më specifik për zyrtarë të ndeshjeve. Federatat anëtare të UEFA-së obligohen të organizojnë seminare të tillë ndërgjegjësimi së paku një herë në vit me të gjitha nivelet dhe kategoritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat