Agim Ademi: Futbolli ynë ka treguar rritje të shkëlqyeshme

Futboll

Agim Ademi: Futbolli ynë ka treguar rritje të shkëlqyeshme

Nga: K.G. Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 11:41
Agim Ademi

Me ndeshjet e Kupës së Kosovës sot hapet edicioni pranveror i futbollit të Kosovës.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se futbolli ynë ka treguar rritje të shkëlqyeshme. 

“Pas pushimit dimëror prej më pak se dy muaj dhe përgatitjeve intensive të shumicës së skuadrave jashtë vendit, jemi të lumtur të shohim rikthimin e futbollit në vendin tonë dhe të përgatitur për një stinor pranveror përplot emocione.

Sot fillojmë me ndeshjet e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës, për të vazhduar në fundjavën e ardhshme me ndeshjet e AlbiMall Superligës, që me të drejtë presim të sjellin emocione të mëdha për tifozët.

Inkurajoj të gjitha skuadrat që janë pjesë e garës të japin maksimumin në fushë dhe të tregojnë vlera të larta sportive dhe të "fair-play"-it.

Federata me të gjitha organet e saj ka bërë përgatitjet e duhura dhe garanton një garë të rregullt dhe zero tolerancë ndaj çdo dukurie negative. 

Futbolli ynë ka treguar rritje të shkëlqyeshme në vitet e fundit falë punës dhe përkushtimit të gjithsecilit prej nesh, por së bashku mund të arrijmë në një nivel edhe më të lartë.

Dua të falënderoj investitorët në klube që po i japin shtysë zhvillimit të mëtejmë të futbollit, por edhe tifozët që janë gjithmonë të përkushtuar në mbështetjen e ekipit të tyre dhe i shtojnë vlera këtij sporti.

Uroj që në stadiumet tona të shohim futboll cilësor me plot energji e pasion dhe ky stinor të sjellë emocione të paharrueshme për të gjithë ne.

Mbarësi e suksese të gjitha skuadrave dhe faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat