Ronaldo i pandalshëm

Futboll

Ronaldo i pandalshëm

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 21:36
Ronaldo

Më 5 shkurt të këtij viti, Kristiano Ronaldo mbushi 39 vjeç. Një jetë e tërë kushtuar futbollit… dhe golave.

Më 7 tetor 2002, ku ishte vetëm 17 vjeç, ai shënoi një dopietë me fanellën e Sportingut të Lisbonës kundër Moreirense në Ligën Portugeze. Ata ishin dy golat e tij të parë zyrtarë.

Njëzet e një vjet pas këtyre dy golave, “CR7” vazhdon të bëjë të njëjtën gjë: të shënojë. “Unë ende e dua futbollin.

Edhe në moshën time më pëlqen të luaj, të shënoj gola dhe të fitoj ndeshje.

Do të vazhdoj të luaj derisa këmbët e mia të thonë ‘Kristiano, mbaroi’. Për momentin do të vazhdoj të garoj dhe të ndihmoj skuadrën”, rrëfeu ylli portugez në fillimin e këtij sezoni me klubin saudit Al-Nasr.

Dikush mund të mendojë se liga saudite është e një nivele jo të lartë dhe se atje portugezi mund të shënojë rregullisht dhe me lehtësi të natyrshme. Por vetë ai ka hedhur poshtë këto zëra duke deklaruar se as në Arabinë Saudite nuk është e lehtë të shënosh. Kjo deklaratë erdhi kur ai po festonte një tjetër trofe të fituar, teksa në vitin 2023 u shpall golashënuesi më i mirë në botë me 54 gola, duke lënë pas Mbape (52), Kejn (52) dhe Haland (50).

Dhe portugezi nuk di të ndalë.

Me golin e tij të parë për vitin 2024 ai i dha fitoren AlNasr kundër Al-Fajha (0-1). E për më tepër ai vendosi një tjetër gur në mbretërinë e tij të rekordeve: 23 vjet radhazi që shënon! Një histori që lindi në vitin 2002 dhe që nuk duket se ka të ndalur.

Në periudhën 2011-2014 kur luante për Realin e Madridit kaloi 60 golat në vit me rekordin e vet në vitin 2013 me 69 rrjeta.

Në rezymenë e tij “predatori” numëron katër “Këpucë të Arta” (2007-2008, 2010- 2011, 2013-2014 dhe 2014- 2015) pasi ishte golashënuesi më i mirë i La Liga-s (2011, 2014 dhe 2015), “Capocannoniere” i Serisë A (2020- 2021) dhe “Këpuca e Artë” në Premier Ligë (2007-08). Ai e ka kaluar kufirin e 40 golave në një vit kalendarik 12 herë!

NË MAJË TË BOTËS – Kristiano Ronaldo është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit në nivel klubesh (741 gola). Ai ka lënë gjurmë në çdo skuadër që ka luajtur, Real Madrid (451), Mançester Junajtid (145), Juventus (101), AlNasr (45) dhe Sporting Lisbonë (5).

Ai është dhe golashënuesi më i mirë në historinë e ekipeve kombëtare (Portugalia, 128) dhe është i pangopur.

Vitet kalojnë por jo objektivat e tij. “Do të luaj këtë vit dhe vitin tjetër. Pastaj, nëse trupi më thotë të vazhdoj, do të vazhdoj”, paralajmëroi ai disa muaj më parë. Deri në vitin 2025 Cristiano do të jetë në fushë. Ai do të mbushë 40 vjeç me këpucët në këmbë. Dhe në 2026-ën ka një Kampionat Botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat