Tirana ka humbur “shijen” e fitoreve

Futboll

Tirana ka humbur “shijen” e fitoreve

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 16:58
Erbim Fagu

Tirana vazhdon të bëjë hapa të gabuar në kampionat edhe duke qenë me një lojtar më shumë se sa kundërshtari. Kalon e para në avantazh me anë të Lushkjes në të 54’ e më pas nuk arrin të administrojë asgjë, ndërsa kurbinasit kanë barazuar në të 78’ me anë të Myrtës.

E gjithë kjo situatë nuk e bën të kënaqur trajnerin e bardhebluve, Erbim Fagu, i cili pranon se kjo është situata aktuale në të cilën gjendet ekipi. Përballja me Laçin ishte vetëm e dyta e Fagut në pankinën e Tiranës.

"Sigurisht të vjen kur një ndeshje me një kundërshtar që është me një lojtar më pak përfundon me këtë rezultat. Pra arrin të të godasë dhe të marrë një pikë. Por i tillë është futbolli", thotë Fagu

Ndërkohë Tirana po bën tre javë që nuk fiton një ndeshje. Për herë të fundit suksesi i bardhebluve daton më 3 shkurt ndaj Kukësit në transfertë, 3-2.

Më pas 1-1 me Erzenin, 1-2 me Partizanin, 0-0 me Teutën në kampionat dhe 1-1 me Laçin. Java e ardhshme parashikon një tjetër transfertë të vështirë për Tiranën, këtë herë në Shkodër, ndërsa aktualisht Tirana rrezikon të mos jetë brenda katër ekipeve që do të luajnë një mini-kampionat për të shpallur kampionen e re.

Është në pikë të barabarta me Dinamon, 35, ndërsa nga pas me një pikë më pak është Skënderbeu. Ndaj tanimë për Tiranën fitorja është bërë më shumë se sa domosdoshmëri.

"Sigurisht nuk do të bëjmë shumë ndryshime pasi siç dihet kampionati është në fazën e fundit dhe këto ndryshime kërkojnë kohë", ka përfunduar Fagu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat