Katër futbollistë shqetësojnë trajnerin

Futboll

Katër futbollistë shqetësojnë trajnerin

Më: 6 mars 2024 Në ora: 14:08
Apolonia

Mesditën e djeshme, fierakët u janë rikthyer seancave stërvitore në prag të ndeshjes derbi, kundra Lushnjës në transfertë. Ekii pati mundësi të pushojë të hënën pas angazhimit dhe fitores me Kastriotin.

Nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi, ekipi ka kryer seancën e parë në funksion të duelit me Lushnjën, seancë e cila u zhvilluar në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

Pas nxehjes, titullarët dhe zëvendësuesit u ndanë në dy grupe.

Përgatitësi atletik, së bashku me trajnerin Mërgjyshi vazhduan punën me futbollistët, duke bërë edhe disa ushtrime fizike.

Më pas, stërvitja vazhdoi me ushtrime aerobike, por pa harruar edhe punën me top dhe pjesën taktike. Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë brenda grupit. Fundi i fazës së dytë dhe fillimi i së tretës kanë lënë me pasoja të rënda Apoloninë, e cila ka vuajtur jo pak herë mungesën e lojtarëve titullarë, për shkaqe dëmtimi apo edhe pezullime nga kartonët. Për ndeshjen derbi ndaj Lushnjës, Mërgjyshi ka dyshimet e veta për dy lojtarë titullarë që nuk kanë gjendjen maksimale.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Serjan Repaj dhe mesfushorin Stefano Omeri, të cilët vijojnë të kenë probleme fizike të mbartura. Megjithëse dëmtimet nuk mund të konsiderohen shumë të rënda, shqetësimet në fjalë i pengojnë lojtarët gjatë sprintit, duke i kushtëzuar për të mos dhënë maksimumin.

Si ndaj Vorës në transfertë, por edhe Kastriotit në shtëpi, ata nuk janë rrezikuar për asnjë minutë me qëllim për të qenë gati këtë fundjavë.

Ndërkohë, janë po kryejnë edhe terapinë përkatëse te fizioterapisti, duke munguar në seancën e djeshme stërvitore. Nuk janë të vetmit me probleme fizike, pasi edhe sulmuesit Xhovalin Trifoni dhe Erald Maksuti kanë shfaqur shqetësime të lehta fizike dje dhe janë stërvitur veçmas.

Me gjithë këto probleme, “dhimbja e kokës” për trajnerin Mërgjyshi është shtuar ndjeshëm aq më tepër kur mund ta ribëjë nga e para formacionin për transfertën e Lushnjës. Pas provave të vazhdueshme të këtyre ditëve do të vendoset edhe për 11 lojtarët që do e nisin nga minuta e parë derbin me Lushnjën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat