Kombëtarja U16 merr pjesë në turneun zhvillimor të UEFA-s në Tiranë 

Futboll

Kombëtarja U16 merr pjesë në turneun zhvillimor të UEFA-s në Tiranë 

Më: 10 mars 2024 Në ora: 17:13
Pamje nga një stërvitje

Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e vajzave është grumbulluar për herë të parë këtë vit në Kampin Nacional në Hajvali. E arsye e këtij grumbullimi është “UEFA Development Tournament U16” që zhvillohet në Tiranë, prej 11 deri më 16 mars. Në këtë turne zhvillimor krahas Kosovës do të marrin pjesë edhe Shqipëria, Portugalia dhe Skocia.

Para nisjes për në Tiranë, stafi i trajnereve i kombëtares së kësaj grupmoshe: Albin Rrahmani, Florentina Kallaba dhe Diellza Musa ka paraparë grumbullimin dyditor në Hajvali, në mënyrë që ekipi të komponohet sa më mirë për këtë turne. Në stërvitjen e mbajtur të shtunën vajzat punuan në fushën e gjelbër në aspektin fizik dhe atë tekniko-taktik, derisa qëndrimin në kamp trajneret po e shfrytëzojnë edhe për anën teorike.

Ndonëse kundërshtarët janë kombëtare me emër, futbollistet dardane shfaqën optimiste për rezultate pozitive.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Kombëtares.

Është kënaqësi të jesh këtu. Stërvitja e parë shkoi shumë mirë, shpresoj se në stërvitjet e radhës do të jemi edhe më mirë. Tani na pret turneu në Tiranë, ku për kundërshtarë do të kemi Shqipërinë, Portugalinë dhe Skocinë. Presim fitore dhe pres që të gjitha vajzat të japim maksimumin”, tha Agnesa Krasniqi.

Edhe Viola Nuha u shpreh e lumtur që është pjesë e Kombëtares dhe vuri në pah atmosferën e mirë në kamp: “Ndihem mirë, bashkë me vajzat po kalojmë mjaft mirë. Jam shumë e lumtur që jam përzgjedhur për ndeshjet e këtij turneu. Me disa kundërshtarë kemi pasur edhe më herët ndeshje dhe kemi paksa njohuri, derisa me të tjerët do të shohim se si janë. Presim rezultate të mira dhe normalisht vajzat të tregojnë më të mirën”, tha ajo.
Dardanet U16 nesër do të zhvillojnë stërvitje në orën 10:30, derisa më pas udhëtojnë drejt Tiranës.

Kalendari i ndeshjeve:
11.03.2024 Kosova – Shqipëria
13.03.2024 Kosova – Portugalia
16.03.2024 Kosova – Skocia

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat