Klubet daneze bllokojnë Superligën Europiane

Futboll

Klubet daneze bllokojnë Superligën Europiane

Më: 13 mars 2024 Në ora: 16:41
Logo e UEFA-s

Autoritetet evropiane kanë rënë dakord me klubet daneze dhe kanë ndaluar promotorët e projektit të Superligës që ta regjistrojnë kompeticionin e tyre me këtë emër, njoftoi të mërkurën Shoqata e Klubeve Profesionale Daneze.

“Kompania e Superligës Evropiane ka tentuar të regjistrojë markën e saj tregtare në Bashkimin Evropian (BE), por e kuptoi se kjo do të ishte një shkelje e Superligës, marka tregtare që është në pronësi të përbashkët nga klubet daneze”, – thuhet në një deklaratë.

Vendimi, i cili është i apelueshëm, do t’i detyronte promotorët e projektit të kompeticionit rival evropian të Ligës së Kampionëve të gjenin një emër tjetër. Superliga Daneze, e cila aktualisht përbëhet nga 12 ekipe, u krijua në vitin 1991 dhe aktualisht sponsorizohet nga 3F, një nga federatat kryesore të sindikatave në këtë vend.

“Jemi shumë të lumtur, sepse autoriteti i regjistrimit të BE-së ka rënë dakord me ne që marka ‘The Super League’ do të shkelte vlerën që klubet daneze kanë investuar në Superligën 3F”, – tha presidenti i ligës më të mirë të futbollit danez, Claus Thomsen.

Ky i fundit kujtoi kundërshtimin e klubeve në Danimarkë dhe vende të tjera ndaj krijimit hipotetik të një lige të re evropiane: “Ne e kuptojmë se duhet të ketë hapje dhe kualifikim për turnetë ndërkombëtarë përmes ligave kombëtare. Futbolli nuk duhet të jetë një festë e mbyllur për klubet që nuk guxojnë të marrin pjesë në një garë të hapur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat