Acerbi thyen heshtjen

Futboll

Acerbi thyen heshtjen

Më: 29 mars 2024 Në ora: 11:45
Pamje nga një ndeshje

Acerbi thyen heshtjen: Ja si është e vërteta e ngjarjes me Juan Jesus

Pas vendimit të Gjykatës Sportive në Itali për të mbyllur çështjen e akuzave për racizëm ndaj Francesco Acerbit për mungesë provash, mbrojtësi italian ka thyer heshtjen, duke folur për herë të parë mbi atë që ndodhi për të përditshmen milaneze “Corriere Della Sera”.

Në një intervistë ekskluzive, Acerbi e cilësoi vendimin e gjykatës si një çlirim, ndonëse pranoi se ishte trishtuar shumë mbi gjithë atë që kishte ndodhur gjatë kësaj kohe.

“Unë kurrë nuk kam qenë racist. Idhulli im ka qenë George Weah dhe ai ishte i pari që më telefonoi, kur u zbulua se kisha një tumor. Me këtë ngjarje kemi humbur të gjithë dhe më vjen keq për gjithë sa ka ndodhur. Pas vendimit të gjykatës njerëzit reaguan si të isha liruar nga një burgim 10-vjeçar. Ndjeva një tërbim të madh rreth meje, sikur të kisha vrarë një njeri. Dhe për më tepër u prekën edhe familjarët e mi”, rrëfen Acerbi.

Mbrojtësi veteran italian rrëfen se do të qëndrojë me kokën lart, pasi nuk e lidh asgjë me racizmin, teksa nuk ngurron t’i dërgojë një mesazh në distancë edhe brazilianit Juan Jesus, i cili e akuzoi për fyerje me nota raciste.

“Tani gjithçka përfundoi, por njerëzit e dhanë dënimin e tyre ndaj meje, Mund të them se ajo që përjetova këto ditë, ishte më e rëndë se ajo që përjetova kur mësova për sëmundjen e rëndë. Atëherë nuk kisha frikë. Unë nuk jam racist.

Më vjen keq edhe për Juan Jesus, por nuk mund ta etiketosh një person si racist për një fjalë të keqkuptuar dhe për më tepër të lëshuar brenda fushës, ku ndodhin shumë gjëra për shkak të emocioneve të lojës”, shprehet mbrojtësi.

Acerbi më pas bën premtimin se do të jetë në shesh bashkë me shokët e skuadrës për të festuar, kur Interi të fitojë edhe zyrtarisht titullin e 20-ë kampion në histori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat