Mbappe dhe Donaruma, rënia e yjeve

Futboll

Mbappe dhe Donaruma, rënia e yjeve

Më: 11 prill 2024 Në ora: 14:22
Mbappe dhe Donaruma

Yje që ngrihen dhe yje që bien në qiellin e Parisit. E mërkura nuk ishte vetëm nata e ngritjes të yjeve të rinj të La Masias, Kubarsi e Jamal, por edhe zbehja, qoftë edhe përkohësisht, e yjeve si Kilian Mbape e Xhanluixhi Donaruma.

Pikërisht dy nga blerjet më të bujshme të Paris SG ishin ata që zhgënjyen më tepër në humbjen 3-2 me Barcelonën në takimin e parë çerekfinal në Champions League.

Mbape qëndroi i heshtur gjatë gjithë lojës dhe ishte dobët në të gjithë treguesit kyç.

Dha pasime të gabuara, nuk rrezikoi asnjëherë me gjuajtje dhe u duk pa ide në duelet kundër Zhyl Kunde, që e futi në xhep gjatë gjithë mbrëmjes. Sigurisht që vëmendja e shtuar e mbrojtjeve kundërshtare për Mbape krijon avantazhe për të tjerët, siç ndodhi edhe mbrëmë, me Dembele e Barkola, por nuk është ky ndikimi që pritet nga një yll i kalibrit të tij. Mbetet fakti që kur pritej më tepër se kurrë, Mbape nuk u shfaq.

Ndërkohë që Donaruma u shfaq me të gjitha defektet e tij, ndonëse në këtë sezon nën drejtimin e Luis Enrikes është përmirësuar si pasues dhe kontrollues i hapësirës. Për fatin e tij të keq, anët e tij negative u shfaqën plotësisht kundër Barcelonës.

Portieri italian gjykoi keq krosimin fillestar që çoi në golin e parë të Barcelonës, bëri një rivënie të gabuar që nisi aksionin e golit të dytë e më pas qëndroi si i ngrirë në golin e tretë, me topin e krosuar nga këndi që kaloi brenda zonës së tij. Donaruma bëri edhe dy tri pritje të mira për të cilat meriton elozhe, por portierit i mbahen mend gabimet dhe ato nuk ishin të pakta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat