Shiu shtyn paradën e Interit me autobus të hapur

Futboll

Shiu shtyn paradën e Interit me autobus të hapur

Më: 23 prill 2024 Në ora: 14:21
Interi

Pasi u vendos që parada e autobusit të hapur të shtyhej për në fundjavë, për shkak të motit të keq, Interi kërkoi nga “Lega Calcio” që ndeshjen kundër Torinos ta zhvillojnë të dielën në orën 12:30, sipas kalendarit. Propozimi u pranua.

Ideja e klubit zikaltër është që në fund të ndeshjes të mund të parakalojë nëpër rrugët e qytetit me autobus të hapur, për të festuar me të gjithë tifozët e pranishëm titullin e 20-të në histori. Detajet e plota të itinerarit të autobusit janë ende për t’u përcaktuar, por në çdo rast duhet të fillojë nga stadiumi për të arritur në “Piazza Duomo”.

Nga aty lojtarët zikaltër pritet të përshëndesin tifozët nga “Terrace 21”, ku është planifikuar edhe një set DJ. Përmbyllja e festimeve do të jetë me rastin e ndeshjes së fundit të Interit në shtëpi, ndaj Lazios, kur do të bëhet edhe dorëzimi i trofeut të titullit.

Kjo ndeshje është caktuar për fundjavën e 19 majit, por Serie A ende nuk e ka shpallur zyrtarisht ditën dhe datën e ndeshjes. Në fund të ndeshjes, lojtarët do të parakalojnë në lëndinën e “San Siros” për të arritur në skenë, e cila do të vendoset në mesfushë dhe do të marrin trofeun e titullit.

Pas përfundimit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve do të ketë një koncert të madh, i cili do të vihet në skenë edhe në “San Siro”.

Në skenë do të ngjiten shumë fansa VIP, si Ligabue, Max Pezzali, Andrea Bocelli e shumë të tjerë. Pas koncertit lojtarët pritet të vazhdojnë festimet në një event në “Castello Sforzesco”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat