Shabani: Me Prishtinën të nxjerrim rezultat sa më pozitiv në Athinë

Hendboll

Shabani: Me Prishtinën të nxjerrim rezultat sa më pozitiv në Athinë

Nga: Kemajl Goca Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 17:26
Lulzim Shabani, i pari në të majtë

Prishtinën e ndan edhe një orë para stërvitjes në palestrën e sporteve në Athinë, në prag të ndeshjes së nesërme (18.00) kundër AEK-ut, në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të tretë të Kupës së Evropës në hendboll. 

Të dy ndeshjet luhet në kryeqytetin grek, e para, nesër në orën 18.00 dhe e dyta, me 20 dhjetor po në të njëjtin palestër dhe në të njëjtën orë. 

Bardhekaltrit janë përgatitur për këtë sfidë, që të dalin sa më mirë në përballjen me grekët. Hendbollisti Lulzim Shabani, tha se atmosfera është shumë e mirë.

“Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë, po sonte nga ora 18:30 do ta zhvillojmë stërvitjen e parë e cila do të na ndihmoj të ambientohemi me palestër”, tha nga Athina Shabani për gazetën Kombëtare “Bota sot”. 

A shpresoni në rezultatin më të mirë, sa keni njohuri për ekipin rival?

“Ndeshjet e ekipit kundërshtar i kemi analizuar dhe shikuar me vëmendje dhe si çdo ekip tjetër edhe kjo ekip ka disa dobësi të veta. Ne me forcat tona dhe me angazhimin tonë maksimal do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe te nxjerrim rezultat sa më pozitiv”, përgjigjet hendbollisti ndër më të mirë në vendin tonë.

Prishtina ka pasur probleme në javët e fundit me stërvitje, për shkak të renovimit të Qendrës së Rinisë dhe të Sportit, megjithatë janë përgatitur për këtë sfidë. 

“Ne jemi munduar shumë që të japim gjithçka nga vetja edhe pse siç dihet problemi me palestër ka qenë evident por prapëseprapë tani mendoj se jemi të përgatitur mjaftueshëm dhe me përforcimet e ardhura tani jemi në rregull”, përfundon Shabani.

Prishtina është përforcuar për këto dy ndeshje ndërkombëtare me Festim Mustafën, Arben Dugollin të Kastriotit nga Ferizaj dhe portierin Arbër Curri (Vëllaznimi).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat