Kur Ferizaj vlonte kundër ekipit nga Vojvodina, Hasan Bajrami dhe Aziz Makiqi si stuhi, me nga 10 gola!

Hendboll

Kur Ferizaj vlonte kundër ekipit nga Vojvodina, Hasan Bajrami dhe Aziz Makiqi si stuhi, me nga 10 gola!

Nga: Kemajl Goca Më: 14 korrik 2022 Në ora: 18:36
Kur Ferizaj vlonte kundër ekipit nga Vojvodina, Hasan Bajrami dhe Aziz Makiqi si stuhi

Një histori që nuk harrohet! Gjenerata që la gjurmë të pashlyeshme. Gjenerata e artë e hendbollit, në atëkohë Borci i Ferizajt, sot me emrin Kastrioti i Ferizajt! 

Një gjeneratë e papërsëritshme, tifozët jetonin me rezultatin e këtij klubit, që pati edicionin më të mirë në histori në vitin 1987-1988 në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë.

Tërë javën flitej për hendboll, festë e këtij sporti! 

Në sezonin vjeshtor përfunduan në pozitën e tretë (përfunduan të 6-tin në fund të kampionatit). 

Një klub që kishte një armatë të tifozëve sikur të çmendur, 3000 deri 3500 shikues, edhe shumë mbeteshin jashtë palestrës. 

Një dashuri për sportin, që nuk harrohet kurrë! 

Ferizaj vlonte nga atmosfera. Dyshja Hasan Bajrami dhe Aziz Makiqi, si stuhi me 17 tetor të vitit 1987, një mbrëmje e zjarrtë e të shtunës së asaj kohe, secili realizoi nga 10 gola apo së bashku gjithsej 20 gola, duke e mposhtur me rezultat 31:30 Jugoviqin nga Kaçi i Vojvodinës. 

Java e 11-të, ferizajasit, 7 fitore, 1 barazim e 3 humbje, në pozitën e tretë me 15 pikë. 

Dy trimat e mbrëmjes së asaj kohe, Bajrami dhe Makiqi, të papërmbajtshmit për rivalin.    

Kështu dukej tabela pas javës së 11-të, Metaloplastika printe me 16 pikë, Medveshçaku 16, Borci (F) 15, Cërvenka 13, Slloga 12, Pelisteri 10, Cërvena Zvezda 10, Jugoviq 10, Dinos Sllovani 10, Zhelezniçari 9, Proleteri 8, Zameti 8, Borci (Bll) 7 dhe Duboçica 5.

Borci – Jugoviq 31:30 (12:11)

Palestra e sportit në Ferizaj.
Shikues: 3.000.
Gjyqtarë: Jovo Popoviq nga Duboj dhe Millan Mitroviq nga Beogradi.
Shtatëshet: Borci 3 (2) , Jugoviq 4 (3).
Përjashtumet: Borci 6 minuta, Jugoviq 4 minuta.
Borci: Mlladenoviq, Bajrami 10, Tupella, Koprivica, Besim Qerimi 5, Reçica 1, Bovan, Tomoviq 1, Bujar Qerimi 1, Rexhepi 3, Makiqi 10 dhe Maliqi.
Jugoviq: Hodik, Miliq, Lluburiq 2, Shkërbiq 1, Z. Kurtesh, G. Kurtesh, Çaviq 12, Dejanoviq 5,  Beker 4, Vukovac 5, Stajkovac 1 dhe Kastratoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat