Faruk Shala optimist para sfidës me portugezet: Skuadra jonë ka ndërtuar mentalitet fitues 

Hendboll

Faruk Shala optimist para sfidës me portugezet: Skuadra jonë ka ndërtuar mentalitet fitues 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 29 shtator 2023 Në ora: 14:04
Faruk Shala

Istogu është para sfidës së madhe evropiane. 

Kampionja dhe fituesja e Kupës së Kosovës, do të përballet me portugezet SIR 1Maio/ADA CJB, në kuadër të rrethit të dytë të Kupës Evropian (EHF) në hendboll.

Ndeshja e parë luhet nesër dhe e dyta të dielën prej orës 18:00.

Ndeshjet do të zhvillohen të dyja me marrëveshje të klubeve në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë.

Kryetrajneri i Istogut, Faruk Shala, tha se janë përgatitur maksimalisht për këtë sfidë.

“Jemi përgatitur mirë për këto ndeshje, gjendja fizike e hendbollisteve tona është e mirë fatmirësisht, shpresoj ashtu të mbetet deri në fund. 

Natyrisht Portugalia ka një ligë më të fortë se ne, skuadra kundërshtare ka filluar sezonin më herët dhe kanë më shumë ndeshje të zhvilluara, kjo ju jep përparësi”, thotë Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Istogu synon rezultat pozitiv në këtë përballje,

Istogun e penalizon një çështje, luajnë larg tifozëve të tyre për faktin se palestra në Istog nuk është në gjendje të rregullt dhe në rast të shiut edhe pikon çatia.

“Ne kemi pas vetëm dy ndeshja deri më tani, më Ferizajn ishte e fortë por nuk patëm rast të kemi më shumë ndeshje te tilla, kjo dhe fakti që nuk luajmë në Istog është një hendikep për ne. 

Megjithatë skuadra jonë ka ndërtuar mentalitet fitues, hendbollistet e Istogut nuk thyhen lehtë, do të angazhohemi deri në fund, presim rezultat pozitivë”, shpreh optimizmin Shala.

Kryetrajneri i Istogut shpreson të ketë sa më shumë shikues në palestrën e sportit ‘Karagaçi” në Pejë, që do të jetë lojtari i tetë. 

“Shpresoj të kemi përkrahjen e dashamirëve tanë edhe në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë”, ka përfunduar Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat