Abazi: Pak a shumë kemi njohuri për belgët!

Hendboll

Abazi: Pak a shumë kemi njohuri për belgët!

Nga: Kemajl Goca Më: 15 tetor 2018 Në ora: 19:21
Lulzim Abazi

Kastrioti nga Ferizaj kremtoi kualifikimin në rrethin e tretë të garave evropiane përkatësisht në Challenge Cup në hendboll (meshkujt). Ferizajasit ia dolën ta eliminojnë skuadrën estoneze Tallinn, të cilën e kishin mposhtur në të dyja takimet, të parën me 25:22 dhe të dytën me 26:25. Te dyja ndeshjet ishin luajtur në Ferizaj me marrëveshjen e klubit, ndërsa skuadra me renome Kastrioti ka qenë më e mirë. Ferizajasit do të ballafaqohen me HC Vise BM nga Belgjika, në kuadër të rrethit të tretë.

Një rival më shumë të panjohura por jo edhe i pakalueshëm, me të cilët takohen me 17-18 nëntor, ndërsa sfida e kthimit luhet në Ferizaj me 24-25 nëntor. Kryetari i klubit, Lulzim Abazi, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, se qysh nga e diela kanë filluar të mbledhin të dhëna për klubin HC Vise BM.

”Mendoj se kemi njohuri, duke ju falënderuar ish lojtarëve të klubit që jetojnë e veprojnë në Belgjikë, kemi marrë disa informacione të dielën mbrëma, se ata janë ekip e mirë dhe nuk e është e papërballueshme, me lojën që kemi zhvilluar ne ndaj estonezëve. Këtë rival mundem me kaluar me një angazhim shtesë dhe përgatitje më të mirë”, shprehet Abazi.

Ferizajasit nuk e përjashtojnë mundësinë që të përforcohen për këtë ndeshje.  “Do ta shqyrtojmë seriozisht përforcimin në disa pozita, në disa pozita më të mangëta dhe besoj që në marrëveshje me trajnerin Verim Zherka, në bazë të kërkesave të tij, do të tentojmë një apo dy përforcime në pozitat ku kemi çaluar në takim me Tallinn.

Veç janë identifikuar ato nga ana e trajnerit dhe besoj si kryesi do t’i ndërmarrim masat për përforcimet e duhura”, thotë kryetari i klubit. Ai është i kënaqur me angazhimin dhe nivelin që treguan lojtarët e tij. “Atë që e pritem e morëm dhe zotimin që dhamë e realizuam dhe besoj se kjo ekip mund të jap shumë më shumë. Shumica e lojtarëve janë të ri dhe kanë pasur rastin për herë të parë të paraqiten në arenën ndërkombëtare. Kjo ekip mund të jap edhe më shumë”, theksoi ai.

Shikueshmëria nuk kishte kaluar më shumë se një mijë veta në palestrën “Bill Klinton”, për këtë ka një justifikim Abazi: “Është e vërtetë që kemi pritur dyfishin e tyre, prapëseprapë jemi të kënaqur dhe shumë falënderues ndaj ‘Ujqve’ e qytetarëve ferizajas, që na përkrahën tërë kohën. Kombëtarja e Kosovës me Ishujt Faroe në futboll, na bëri pak probleme me shikueshmëri sepse pothuajse u luajtën në të njëjtën kohë, megjithatë jemi të kënaqur me shikuesit që na dhanë zemër në lojë”. Sipas tij, qytetit të hendbollit po i kthehet dinjiteti!

“Kastriotin e shoh krejt ndryshe, një faqe e re, një fytyrë e re, një impuls i ri, gjithmonë nga ana pozitive. Do të angazhohem maksimalisht dhe Kastrioti të ngritët në nivelin e lojës, anën organizative dhe në çdo aspekt tjetër.

Besoj se me lojën e të dielës mbrëma Ferizajt iu kthye dinjiteti i hendbollit, ku ishim dëshmitarë të figurave të ndryshme që ishin në palestër, të politikës, kulturës e sportit. Të dielën mbrëma të gjithë u zotuan që do ta përkrahin klubin, që nga Kuvendi Komunal, kryetari i Komunës Agim Aliu etj.”, tregon Abazi. Emocione ishin të mëdha, sidomos për gjeneratat e vjetra, që në një moment iu kujtuan kohërat e viteve të 80-ta. “Një ndeshje me shumë emocione dhe pak nostalgjike për disa njerëz, sepse kjo ndeshje me estonezët ia ktheu mallin e ish Borcit të viteve të 70-ta e të 80-ta”, përfundoi Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat