Gjurmë muzikore në kulturën shqiptare

Kultura

Gjurmë muzikore në kulturën shqiptare

Nga: Laurant Bica Më: 2 janar 2021 Në ora: 14:17
Laurant Bica

Mark Kaçinari lindi në një familje të shquar për fisnikërinë e vet në Prizren. I ati, Pal Kaçinari vdiq para kohe në vitin 1948, vetëm 60 vjeç dhe Markun, si fëmija më i vogël, e la në moshën 13 vjeçare. Pra, ai me dy vëllezërit e vet më të mëdhenj dhe tri motrat e tyre mbetën jetimë. Vëllai i dytë, Gasperi, vetëm 16 vjeç, u vra nga pushtuesi fashist italian, kurse vëllanë e madh, gjatë okupacionit gjerman, valët e jetës e hodhën në Gjermani dhe prej asaj kohe, për shkak të largësisë, kontaktet familjare erdhën duke u zbehur. Kështu, Marku mbeti vëllai i vetëm në mes të tri motrave. Ata i rriti mëma e vet Drone, me sakrifica e përpjekje të shumta. Ajo u kujdes që fëmijët të shkolloheshin, me gjithë vështirësitë e mëdha që u detyruan të përballonin në rrethanat e reja. Marku kreu tetë vitet e shkollës, sikurse ishte sistemi arsimor asokohe në Serbi e në Jugosllavinë e kralit dhe të pas luftës së dytë botërore, në gjuhën shqipe. Fill pas saj, në vitin 1949, hyri në shkollën e parë të muzikës në Kosovë, të hapur në vitin 1948 në Prizren, me mësimet kryesisht në gjuhën serbokroate. Vetëm lënda Folklori Muzikor Shqiptar bëhej në gjuhën shqipe, për vetë natyrën e saj, nga drejtori i parë i shkollës së muzikës, Lorenc Antoni, një nga artistët më të mirë shqiptarë (sot kjo shkollë mban emrin e tij). Në atë orë, merrnin pjesë shqiptarë pa dallim feje nga mbarë Kosova. Ajo orë do të linte gjurmë të pashlyeshme në mendjen e Markut të ri.

Po atë vit, do të hapej shkolla e dytë e muzikës edhe në Prishtinë. Qe fat i madh për Markun që nga viti 1949 deri më 1953 edhe arsimin e mesëm ta përfundonte, si gjithnjë, me rezultate shumë të mira pranë shtëpisë, në qytetin e tij të dashur.

Shkolla e mesme e muzikës në Prizren nga u diplomua Mark Kaçinari, për të vazhduar më pas në konservatorin e Beogradit, ka qenë një lloj liceu artistik, fidanishte e kuadrove të reja, sikurse Liceu Artistik “Jordan Misja” në Shqipërinë administrative. Ajo nxori me dhjetëra e qindra kuadro për muzikën në Kosovë ndër vite, bashkë me shkollat e tjera të muzikës, si në Prishtinë, Mitrovicë e gjetkë. Nxënësit e dalë prej tyre, sidomos ata të viteve 50-të të shekullit XX, studiuan në kryeqendrat e Jugosllavisë së asaj kohe, që kishin konservatorë të muzikës, duke filluar nga kryeqyteti Beogradi, e pastaj Zagrebi, Ljubjana e Sarajeva. Ata hodhën themelet e muzikës kosovare e lanë gjurmë të pashlyeshme në artin e saj.

Mark Kaçinari është një prej tyre, që sikurse thotë me të drejtë kompozitori i mirënjohur, Rauf Dhomi “nga të parët kuadro që punuan në Kosovë për Kosoven, ai është i pari”.

Mark Kaçinari i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikës. Në vitin 1954, ai fillon studimet e larta pranë Akademisë së Muzikës në Beograd, në degën e Teorisë dhe Pedagogjisë Muzikore, të cilat i përfundon në vitin 1961. Gjatë viteve 1956-1961, ishte anëtar i rregullt i korit profesionist të Radio - Beogradit. Bashkëkohës, ndoshta dhe bashkënxënës me të, në të njëjtin vit shkollor, kanë qenë po në të njëjtën degë për Teoritikë Muzikore edhe dy personalitete të tjera të muzikës në Kosovë, si Engjëll Berisha dhe Vincenc Gjini. Ndërsa dy të tjerë, Rustem Gjata dhe Agim Gjakova, studentë në të njëjtën kohë me Markun, duke ndjekur degë të tjera si Juridiku apo Letërsia kanë pasur mundësinë të njihen deri në një farë mase edhe personalisht me të.

Po kush ishte Beogradi i viteve 50-të, kur studioi dhe u kualifikua një plejadë e tërë e inteligjencës kosovare me në krye Esat e Hasan Mekulin, Idriz Ajetin, Anton Ҫettën, Hasan Kaleshin, Mahmut Bakallin, Fehmi Aganin, Ali Hadrin, Pajazit Nushin, Shyqyri Nimanin, përfshi Mark Kaçinarin etj. etj. ? Para krijimit të principatës serbe dhe pas formimit të saj, shqiptarët të krishterë e muslimanë bashkë me objektet e tyre të kultit, sidomos xhami, gjallonin edhe në Beograd. Pas tyre vinin vllehët voskopojarë, çifutët etj. Këta luanin një rol të rëndësishëm në jetën e tij. Koha bëri të vetën dhe numri i tyre erdhi duke rënë. Do të rridhte shumë ujë nën Urën e Madhe të Beogradit mbi lumin Danub. . .

Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të valë të reja shqiptarësh, sidomos nga Kosova lëviznin në rrugët e tij, në Hotel “Albania” e sheshin “Albania” pranë tij, etj., (dëshmi e relike këto, të Beogradit të vjetër), herë si zejtarë, furxhinj, hapnin ndonjë restorant diku, etj., apo bënin punë të rëndomta si sharrxhinj, fshesaxhinj, pastrues rrugësh, hamej. . . Këta do t’i gjeje në hapesirën rrotull stacionit të trenit, në rrugët qendrore Terezije, Kalemejdan e Tashmejdan, me vulë në historikun e Beogradit dhe në rrugicat dytësore, ku shisnin punën e tyre të krahut për një pagesë të mjerë. . .

Borgjezia serbe në formim e sipër mundohej të nguliste në mendjet e njerëzve konceptin për shqiptarin si i pagdhendur, i trashë, i paditur. . . Por kish dhe një pakicë njerëzish të komunitetit të shqiptarëve që jetonte në Beograd, të sferës së inteligjencës, kryesisht studentë që shkolloheshin aty, të cilët dalloheshin në mësime për rezultatet e tyre të larta. Ata, qoftë nga gjimnazet nga kishin ardhur apo në universitetin e Beogradit, sikur donin të sfidonin këtë koncept për shqiptarët. Pedagogë të tyre të gjimnazit apo të shkollës së lartë, duke pasur parasysh inteligjencën, vullnetin e vitalitetin e tyre, do te pohonin se

“. . shqiptarët për nga sjellja, zelli e dija gjithmonë janë të parët” dhe “si të tillë duhet të merren shembull. Ështe për të ardhur keq që nuk kemi më shumë prej tyre”.

Mark Kaçinari pas diplomimit nga shkolla e mesme me rezultate të shkëlqyera, fitoi të drejtën e studimit në fushën e muzikës në Universitetin e Beogradit, në kryeqytetin e ish Jugosllavisë, si pak kush nga bashkëmoshatarët e vet, për më tepër një shqiptar. Nuk qe gjë e vogël kjo për kohën. Po kush ishte Beogradi “muzikor” që hapej para këtij të riu me një varg ëndrrash në kokë për të ardhmen e vet (si çdo i ri që mbaron arsimin e mesëm), por me mundësi të pakta financiare, për ta perballuar shkollimin e mëtejshëm, aq më teper larg shtëpisë?

Me 1899 në Beograd çeli, për herë të parë dyert Shkolla e Muzikës. Në vitin 1902 shkruhet e para vepër operistike “Dasma e Millosh Obiliqit” dhe në 1903 shfaqet në skenën beogradase, për herë të parë, opera tjetër vendase “Në Agim”. Ndërsa prej vitit 1920, pasi u krijua Jugosllavia e Versajës , kur në Operan e këtij qyteti u dha “Madam Batërflaj”, fillon dhe rruga në ngjitje e teatrit operistik jugosllav. Me 1926 krijohet Konservatori i Lubjanës dhe po atë vit pranë Universitetit të Beogradit hapet “Kollegium Muzikum” (Konservatori). (Ndoshta këtu e ka marrë M. Kaçinari ngacmimin e parë për emrin që zgjodhi për ansamblin e vet muzikor “Collegium Cantorum”, vite më vonë). Më 1927 dhe më 1932 edhe në Kroaci krijohen dy institucione muzikore, njëri prej të cilëve Konservatori në Zagreb. Në vitet 30-të krijohen shkolla e Shoqatës Korale Serbe, Shoqata e Madrigalistëve të Zagrebit, Orkestra e Filarmonisë së Beogradit e të Novisadit, etj.

Mark Kaçinari erdhi në Beograd, sigurisht për herë të parë. Para tij u hap një botë tjetër, në të cilën ai duhej jo thjesht të jetonte, por të mbijetonte, për të arritur atë që i kish vënë qëllim vetes: mbarimin me sukses të shkollës së lartë. Fillimisht, u vendos në konvikt, në Zvezdare, një lagje kjo periferike dhe e braktisur, me kushte të vështira jetese, por për një student me mjete modeste financiare, ose më mirë ta themi gati pa to, ishte një zgjidhje e pranueshme. Djaloshi 19 vjeçar duhet t’i bënte llogaritë vetëm me vetveten, pasi nga familja nuk kish asnjë burim financiar. Ketu nis odisea e jetës së tij për të bërë të pamundurën, që të mos linte përgjysëm shkollën.

Sa ditë e netë kaloi Marku i ri nëpër rrugët e Beogradit, nëpër miq e nëpër shokë, ndër shtëpitë me qira të studentëve të huaj, etj., vetëm e vetëm për të mos e ndërprerë shkollën që aq shumë e donte, nuk numurohen! Por një gjë mbeti konstante tek ai, mësimet edhe në kushtet më të vështira nuk i la pas dore, por mësonte e mësonte dhe merrte provimet njëri pas tjetrit me rezultatet me të mira. Serbishten e fliste persosëshmërisht dhe askush nuk mund ta kuptonte se ai ishte i huaj në këtë qytet të madh.

Gjërat morën për mbarë për Markun, kur ai mundi të punësohet në korin profesionist pranë Radio - Beogradit si anëtar i rregullt i tij në vitin 1956. Natyrisht, kjo erdhi kur ai në konservator, pas dy vjet studimesh tepër të suksesshme, qe bërë dikushi dhe falë zërit të tij melodioz, dhuratë e mëmës natyrë. Sigurisht, nuk ishte një gjë e lehtë për të, i duhej të mbante edhe shkollën edhe punën. Veç Marku nuk ishte nga ata që tërhiqeshin para vështirësive të jetës. Aty ai u njoh me njerëz të rinj, më të mëdhenj e më me përvojë se ai, mësoi shumë prej tyre e sidomos për artin e këndimit koral, ç’ka do t’i vlenin vite më vonë, kur të krijonte korin e vet. Aty ai, si të thuash, bëri praktikën e dijeve që mësonte në shkollën e lartë të muzikës.

Ai, padyshim, në pesë vitet që kaloi pranë këtij kori profesionist të kryeqytetit jugosllav, rriti ndjeshëm nivelin e vet profesional. Pati dhe një të mirë tjetër qenia e tij atje, sepse ai mori pjesë në turnetë që bënte ky kor i famshëm. Ai me të i ra kryq e tërthor jo vetëm Beogradit brenda për brenda në raste festash e përvjetorësh, në skena të ndryshme të tij, por shëtiti an’ e kënd ish-Jugosllavisë në gjashtë republikat e saj. Me vlerë për Markun ishin turnetë në vendet fqinje, djepe të muzikës si Italia, Austria, në vende si Gjermania Perëndimore, ku punonin punëtorë emigrante nga tërë Jugosllavia, përfshi e shqiptarët e Kosovës, apo dhe vende fqinje si Hungaria, Ҫekosllovakia, Rumania, Bullgaria etj, deri në Moskë. Këto udhëtime dhe shfaqjet që i shoqëronin ato, ku ai qe vetë pjesëmarrës dhe provonte lloj-lloj ndjenjash dhe emocionesh, të gjitha Mark Kaçinarit të ri deri në moshën 25-26 vjeçare, do t’i jepnin një përvojë të madhe si muzikant. Ai do të shquhej midis shokëve të vet të konservatorit, jo vetëm për perfundimet e shkëlqyeshme që pati, por dhe për njohjen e thellë të jetës muzikore të vendit dhe për një lloj prakticiteti, që e karakterizoi gjatë gjithë jetës së tij profesionale.

Në Beograd Marku përvehtësoi jo vetëm dijet e librave të shkollës, por dhe të bibliotekave të kryeqytetit jugosllav, që ishin shumë të pasura në literaturë në përgjithësi dhe atë muzikore në veçanti. Në konservator, për hir të së vërtetës, kish një fond të pasur librash muzikorë si në serbokroatisht ashtu edhe në gjuhë të huaja, të cilin djaloshi i ri i etur për kulturë përpiqej, jo ta shfrytëzonte, por ta “përpinte”. Gjithashtu, ai nuk linte t’i shpëtonte orë mësimi pa ndjekur sepse profesorët që u bënin lëndët e ndryshme ishin dhe personalitete të shquar në jetën artistike të vendit. Ata sillnin në auditor dijet dhe njëkohesisht eksperiencën e tyre nga jeta e gjallë artistike, që bënin me koncertet e tyre brenda e jashtë ish-Jugosllavisë, që shquhej për lidhjet e shumta që kishte, si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen.

Mark Kaçinari u largua nga kryeqyteti jugosllav në vitin 1961. Mund të kish qendruar aty se ishte i punësuar. Dhe kryeqyteti ishte kryeqytet. . . Po ai s’e bëri këtë gjë. Më i vendosur se kurrë ai u kthye në “shtëpinë e vet”, në Kosovë. Si një bletë punëtore , qe me nektarin e mbledhur gjatë shtatë viteve të tij të studimit e të punës “beogradase” do t’i quanim ato, donte të bënte mjaltin e vet në fushën e muzikës. Si një nga diplomantet e parë kosovarë, shumë të suksesëshëm, ai ishte tepër i vetëdijshëm për rolin e vet prej misionari në shërbim të vendit të vet, të kombit të vet.

Gjatë kohës së qendrimit në Beograd në muaj e vite u kristalizuan në kokën e tij të gjitha ato që do të bënte për Kosovën në jetën e vet. Kosova, Prishtina, Prizreni i tij i dashur duhej të ringrihej. Boll e kishin nëpërkëmbur që nga viti fatal 1912, kur ajo, bashkë me Ҫamërinë, u shkëput padrejtësisht dhunshëm nga shteti amë, Shqiperia. Mark Kaçinari, ky bir i Prizrenit të lashtë, që dikur mbreti serb, car Stefan Dushani, e bëri në Mesjetë kryeqytet të shtetit të vet, për rëndësinë që kish, mendonte me shpirt një të ardhme më të mirë për Kosovën. Ai shikonte gjendjen e shqiptarëve në Beograd dhe në mbarë Jugosllavinë në vitet 50-të dhe konstatonte me nje shije te hidhur se pak ose aspak kish ndryshuar gjendja e bashkëkombësve të vet në raport me Jugosllavinë e kralit midis dy luftrave. Shqiptarët, si më 1938, si më 1954, kur filloi studimet e larta Marku, jo vetëm keqtrajtoheshin e shfrytëzoheshin deri në palcë, por synohej t’i dëbonin prej saj .

Dëshmia më e mirë e kësaj ishte diskriminimi i hapur që u bëhej në të gjitha fushat e jetës.

Këtë gjendje të mjerueshme të tyre e kish përgjithësuar e përjetesuar qysh që para Luftës së Dytë Botërore shkrimtari Esad Mekuli në poemën e tij monumentale “Sharrëxhinjtë” në gjuhën serbe. Ai ishte poeti që shkruante dhe botonte pothuaj përjashtimisht për botën shqiptare, por në serbisht. Me të drejte, autori i librit “Profili politik i Esat Mekulit”, studiuesi Esat Myftari thotë aty:

“Asht nji prej poemave ma tronditëse, sidomos për shqiptarët që kanë pasë rastin me kalue nji pjesë të jetës së tyne në Beograd: ajo u kujtonte në mënyrë të përseritun, statusin njerëzor, social e politik të tyne dhe në varësi prej ndjeshmënisë individuale, përjetohej si burim rezinjate ose revolte. ”

Po sjellim disa vargje që flasin shumë për këtë nënshtresë të braktisur e të përbuzur:

“Ti endesh rrugëve të këtij qyteti të bardhë. . .

Opingat e gomës janë shkye, prishë fare. . .

Ndonji derë , mos po e th’rret kush prej pragut:

-Sharraxhi, eja!”

Ende më akuzuese janë vargjet e mëposhtëme të poemës për gjendjen se ku e kishin katandisur shqiptarin:

“Rr’xoju qiell, i randë si tunxhi. . . mbi krenat tona robnije e uje (urie - L. B. ) përule;

Hapu, moj tokë e zezë, nën këmbët dathë (zbathur - L. B. ) tonat

Perpi keto qenje që “porezi” (lloj takse - L. B. ) dhe kurbeti i shkatërroi. ”

Një bard nga Jugu i Shqipërisë, i quajtur Sejfulla Malëshova, alias Lame Kodra, në librin e tij “Vjersha”, botuar më 1945 në Tiranë, në ngjajshmëri me Esat Mekulin, në një poezi të vetën, vetëm me një strofë e portretizon, e gdhënd, e skalit kështu figurën e hamallit shqiptar të para luftes:

Dhe hamalli nëpër skela,

Barten hekura dhe varela,

Këmbë zbathur , bythë çjerre,

Punon vetëm për të tjerë!

Shkurt , aty brenda ke mjerimin, shfrytëzimin, mllefin e urrejtjen e poetit për gjendjen e tij të rëndë.

Mark Kaçinari do të synonte ta ndryshonte imazhin shqiptarofob si sharrxhi, “Dru me pre”, si hamall, të shqiptarit të Kosovës, të gatuar në guzhinat shoviniste, sidomos në Serbi. Atij i takon merita e padiskutueshme se, pa kaluar mirë as një dhjetëvjeçar nga mbarimi i studimeve të veta në Beograd, bëri përmbysjen epokale të këtij koncepti poshtërues dhe një kërcim gjigant në konceptin e shqiptarit intelektual, që di të merret me art e muzikë, madje muzikë të kultivuar, që di të merret me muzikën klasike, për më tepër opera, si gjinia më e madhe e dramaturgjisë muzikore, ende më tepër me majat e kësaj lloj vepre të artit të muzikës, të kompozitorëve botërore si Bah, Hendel, Hajden, Bet-hoven, Moxart…

Goditjen e parë këtij koncepti poshtërues për shqiptarët ia dha qysh në vitin 1945, ende pa u tharë plagët e luftës, bash në mes të Beogradit, një shqiptare e Shqipërise Londineze, këngëtarja korçare, sopranoja Tefta Tashko Koço. Në kuadrin e marrëdhënieve midis dy shteteve, e ftuar nga Teatri i Operas dhe Baletit të Beogradit, kjo këngëtare që ish diplomuar shkëlqyeshëm në Konservatorin e Parisit në Francë, në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit 1945, dha dy shfaqje në bashkëpunim me Trupën e Operas Beogradase. Ajo këndoi në role kryesore arien e Mimisë tek opera “Bohema” e Puçinit dhe arien e Rozinës në operan komike “Berberi i Seviljes” të Rosinit. Nga publiku i kryeqytetit jugosllav dhe shtypi e kritika mori vlerësimet maksimale. Këngëtare” me një zë bilbili” do ta quante dikur kur u diplomua, kritika franceze.” Me një teknike të persosur, Tefta Tashko Koço, një interpretim me veprime te matura dhe frazim plot shije…luajti në skenën e Operas të Beogradit në stil më të kulluar të artit skenik dhe të këngës.” Kështu do të shprehej me kompetencë me notat më të larta për këtë soprano kritika e atyshme profesioniste e kohës.

Goditjen e dytë vendimtare konceptit shqiptarofob për kosovarin si lumpen-proletar do t’ia jepte vetë Marku, duke e hedhur nga “ringu “ i muzikës “nokaut”, jashtë tij për tokë. Si profesionist i muzikës, Mark Kaçinari ka qenë i përfshirë në ajkën e inteligjencës së pakët shqiptare të Kosovës të viteve 50-60–të të shekullit XX. As më shumë, një dhjetëvjeçar, 10 vjet pas krijimit më 1969 te “Collegium Cantorum” si ansambël koral, Marku do të luante “Rekuijemin “ e Moxartit më 1979, në Prishtinë e Dubrovnik të Dalmacisë, etj. Kjo është vepra e fundit e pambaruar e këtij kompozitori të madh, se vdekja e mori në moshen 35 vjeçare. Është një vepër e rëndësishme vokale – korale e përmasave të mëdha për kor mikst, orkestër e kuartet solistësh. Me punë të palodhur me ansamblin e vet, tepër të disiplinuar sikur të ish trupë profesioniste, Marku ia arriti ta realizojë me sukses të plotë këtë kryevepër botërore.

Në një tekst të historisë së muzikës botërore thuhen dhe keto për “Rekuijemin” moxartian:

“Do të mjaftonte vetëm ky Requiem që ta bënte të pavdekshëm Moxartin, por ai u ngjit në majat e gjenialiteteve botërore edhe me operat e tij, muzikën sinfonike, muzikën e dhomës, muzikën pianistike, duke i dhënë kulturës muzikore botërore kryevepra të tilla, që çajnë rrugët e së ardhmes muzikore.”

 

Në 85 vjetorin e lindjes dhe 35 vjetorit të vdekjes Mark Kaçinari rezonon si njeriu, i cili muzikën korale shqipe e nxori nga letra e i dha jetë. . . e vuri ne skenë. Meqenëse kjo mungonte në Prishtinë, ai e krijoi dhe skenën, e nxori nga kalldrëma e Prishtinës dhe e futi në sallone e skena të nivelit europian, jashtë Kosovës. . . i hapi udhë muzikës tonë kah Perëndimi. Nga asgjëja, krijoi pasuri artistike. . . një inovator në muzikë, krijoi korin më të njohur të Kosovës “Collegium Cantorum”, një çerdhe, e cila tuboi talentet më të zgjedhur të muzikës të viteve 70-ta e 80-ta. Asokohe, Prishtina nuk kishte Akademi të Muzikës. Mirëpo Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Mark Kaçinari…këta ishin Akademia e Muzikës në kohën kur ajo na mungonte.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat