Vështrim rreth projektit artistik “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”

Kultura

Vështrim rreth projektit artistik “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”

Nga: Ilir Muharremi, kritik i artit Më: 23 prill 2024 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Fuqia e artit është një efekt tonik në shpirt, nxit kujtimet e së kaluarës, kujtimet më të holla, është një kujtesë e veçantë që zbret poshtë shkallëve shpirtërore, udhëton drejt historisë, bën veprim arkeologjik duke i rikthyer prapë në sipërfaqe dhe duke i projektuar në objektiv. Friedrich Nietzsche kishte thënë: “Arti dhe vetëm arti”. Është e vërtetë se arti është gjithçka, por jo edhe gjithçka mund të jetë art. Puna zbukurohet me art, por arti nxit djersën, dhembjen, tensionin e së vërtetës së fshehur. Projekti artistik “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” gjurmon në të kaluarën e grave puntore që si fokus kanë ekonominë e tranzicionit.

Një punë e vështirë, me djersë, lodhje, arritje, nga intelekti dhe muskujt e femrave të cilat qëndrojnë të ulura në fabrikën e llokumeve në Prizren. Ato janë puntore që dëshmojnë një aftësi dhe zell në punë. Nuk ka se si të analizohen orët e punës, lodhjet dhe çlodhjet që i bënin këto gra, kujtimet tona janë copëza mjegulle dhe rrëfime nga nënat tona. Andaj, fuqia e artit krijon retrospektivë ideale, estetike, përmbajtësore, mëse elegante dhe vlera interaktive veçanërisht pasi mund të afroheni këtyre instalacioneve, t'i prekni, të ndjeni ftohtësinë e metalit.

Syri ngopet me renditjen kompozicionale, me hapësirën ndërmjet instalacioneve. Katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këtyre grave për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë. Doruntina Kastrati në plan të parë respekton dhe veçon kulturën e punës që ishte e famshme për atë kohë, sidomos kjo industri e lehtë që përdorej pas Luftës së Kosovës në 1999.

Copëzat e arrave nga drita natyrale si dhe mbyllja e tyre në mure, reflektojnë një shkëlqim dhe tone të lehta nën përthyerjen e formave. Në realitet, duken si forma minimale, por kreativiteti i bën makroformave imagjinative me nëntekste dhe subjekte përtej realitetit të rëndomtë. Puna e arrës (instalacioni) e ndarë në dy pjesë është shumë elegante dhe e formësuar, drejt hijeve dhe detajeve që japin shkëlqim shpirtëror.

Pastaj dora mund të ndjejë sipërfaqet e lëmuara të instalacioneve, duke krijuar kontakt të drejtpërdrejtë. Lëvozhgat e arrës pothujse përdoren si përbrës në ëmbëlsirat turke, këto lëvozhga duken shumë artistike, por mendja i përcepton si organike. Atëherë, lëvizja e artit drejt shtigjeve konceptuale duke i shërbyer nënteksteve, kuptimeve, simbolikave, sidomos kur ka të bëjë me prodhimin, ushqimin, detajet, estetikën.

Syri i gruas është më i kujdesshëm dhe më i mprehtë, ndërsa në atë kohë gratë ishin më të cenueshme duke u strehuar pas politikave për të krijuar forcën. Këto gra që punën e tyre e bënin në këmbë, jo veç në këto fabrika, por edhe nëpër shtëpitë e tyre, duke mos i vlerësuar punën e tyre, duke e parë si një forcë të dobët, e cila gjithmonë qe e shtypur në pamundësi dominimi dhe ekspozimit të mundësisë intelektuale vizive, dëmtimet e tyre fizike të gjunjëve ishin të mëdha. Gati një e treta e tyre i nënshtrohen operacioneve të zëvendësimit të gjurit. Objektet metalike që u futen në gjunjë janë gjurmë të orëve të gjata që punojnë me paga të ulëta.

Këto instalacione nuk komunikojnë vetëm mendime, por komunikojnë lëvizje, shenja mimike, të cilat kthehen në fakte si shkak-pasojë i mundit dhe punës së palodhshme. E prapë sot mbesin si mendime. Metali dhe lëkura, forca stoike, durimi, qëndrimi, madhështia. Lëkura, vuajtja, sfida, shpërfaqja e brendësisë, sepse lëkura është pasqyrë e problemeve të brendshme. Shkëlqimi që merr vepra tregon atë triumfin dhe rezistencën e bukur të femrës në kohë dhe hapësirë.

Pavijoni i Kosovës u nderua me ‘Mirënjohje të veçantë’ në ceremoninë e edicionit të 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia. Në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit të 60-të, të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, instalacioni skulpturor i Doruntina Kastratit “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me ‘Mirënjohje të veçantë’, në kategorinë e çmimeve që ndahen për përfaqësim shtetëror.

Juria ndërkombëtare e edicionit të 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, përbërë nga Julia Bryan-Wilson (presidente), kuratore amerikane dhe profesore në Universitetin e Kolumbisë; Alia Sëastika, kuratore dhe shkrimtare indonesiane; Chika Okeke-Agulu, kuratore nigeriane dhe kritike e artit; Elena Crippa, kuratore italiane; dhe María Inés Rodríguez, kuratore franceze-kolumbiane, mes tjerash, ka vlerësuar Pavijonin e Kosovës për aktivizmin e feminist.

“Duke iu referuar lëvozhgave të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, si dhe protezave mjekësore për riparimin e gjunjëve, nga përgatitja e këtyre llokumeve, skulpturat elegante të artistes Doruntina Kastrati mbërthejnë shikuesit. Një peisazh tingujsh vibrues vie nga dyshemeja, që të mbushë kockat dhe jehon përtej aktivizmit feminist.” - ka thënë María Inés Rodríguez me rastin e ndarjes së këtij çmimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat