Flaka e gjallë e dashurisë

Kultura

Flaka e gjallë e dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 27 prill 2021 Në ora: 08:30
Foto nga kopertina e librit

Dashuria është ligji fundamental i jetës. Jeta nuk ka kuptim pa dashuri dhe dashuria nuk ka kuptim pa besnikëri dhe ndjeshmëri. Jeta është një këngë, një ëndërr, një provokim. Dashuria është ligji themelor i natyrës, kurse femra është krijesa e parë e Zotit. Femra është kërthiza e botës, një përrallë e përjetshme, hijeshi e rrallë dhe magji e gjallë. Jo më kot kemi thënë paraprakisht se bota vërtitet rreth diellit, kurse dielli vërtitet rreth femrës. Në kërkim të dashurisë është një provë e pazgjidhshme e jetës së leximit të librave të dashurisë, por edhe të ekzistencës në pikëshikimin e jetës fizike, materiale dhe spirituale (shpirtërore).

Njeriu ka nevojë për dashuri të pavdekshme edhe në orët e perëndimit të jetës. Njeriu po, por poeti jo! Pse? Ngase poeti nuk vdes kurrë. Motivet mbizotëruese të librit më të ri të Remzi Bashës strehohen nën ombrellën e shenjtërisë, të dashurisë dhe të shpresës së rimishërimit. Kjo simbolikë e krijimit të përjetshëm, vjen papritmas në fushën magjike të poezisë, të dashurisë, të shpëtimit, të shpirtërimit. Libri i natyrës, libri i vendlindjeve, libri i dashurisë së shenjtë dhe njerëzore, librat me poezi të autorëve të mëdhenj shqiptarë dhe universalë, janë burimi i frymëzimit dhe dritës, pasqyra në të cilën Remzi Basha i shkruan tekstet e tij poetike. Në kuadrin e vargjeve të tij gjejmë edhe elemente të lirikës romantike, klasike, ekspresioniste, lozonjare, por edhe agimin e poezisë evropiane, të ngritura në lartësitë e adhurimit hyjnor.

Në këtë kuptim, poeti Remzi Basha u rrit në shkollën e klasikëve të mëdhenj të shqiptarizmit, duke mos e harruar vendlindjen e tij, odat kosovare, pijetoret dhe kafenetë, folklorin tonë të mrekullueshëm, epik dhe poetik. Libri i tij është një koleksion jashtëzakonisht i pasur me rima, asonanca dhe ritme, pa vulgaritete dhe naivitete për sa i përket shprehjes poetike dhe gjesteve të gërshetuara në thellësitë dhe bukuritë metaforike magjepsëse, të cilave nuk u mungon ironia dhe humori si një vlerë e shtuar, si një modernitet që duhet ta çojë poetin në rreshtat e parë të poezisë së sotme të mërgatës shqiptare, pa i harruar vreshtat dhe livadhet e vendlindjes, duke i kalitur në një kopsht me lule, duke i kundruar shtëpitë e mbuluara me rrasa, me zall e kallamishte, duke i çuar tufat e ëndrrave në livadhet me ajër të pastër. Poeti e refuzon arratisjen nga bota materiale. Si një lajtmotiv i estetikës së Remziut janë engjëjt që e këshilluan të bëhet një poet i pavdekshëm.

Në festivalin e fjalëve, poeti është një peshk që kërcen nga akuariumi: Ky peshk është fjala/ Që kërcen nga libri/ Që të ju përkëdhelë/ Fjalët vallëzojnë/ Dhe ia krisin gjumit/ Në prapashpinën e shtratit./ Fjalën e mirë e kemi shok dhe kryeshok/ Bac dhe kryebac/ Mik dhe kryemik/ Zot dhe kryezot. Poeti është gjithashtu një piktor peizazhi, një nostalgjik i fëmijërisë pavarësisht nga pasionet e tij dhe kohët, një nga rapsodët më të talentuar të mërgatës sonë dhe të vendlindjes së tij. Të liqeneve, të faunës dhe florës, të ishujve dhe bjeshkëve shqiptare, të natyrës dhe detit, të Shqipërisë Natyrale që nga Shkupi e deri në Shkodër, që nga Janina e deri në Prishtinë, që nga Prishtina e deri në Nish. Një dashuri kjo që shkon deri në simbiozë dhe identifikim. Modelet e Remziut na i përkujtojnë klasikë tanë, por edhe gjendjen e përhershme e soditjes, të ëndërrimit, të meditimit, të heshtjes dhe të mosvajtimit lirik në vargjet e tij.

Në vargjet e tij u ngjitëm në male së bashku, kaluam pyje dhe tunele, kaluam ura mbi përrenj, kaluam ujëra fjalësh apo momente të nxehta si rërë e djegur, e shkretë, e vonë, por duke parë se mbi të gjitha e njohim dashurinë midis qiellit dhe tokës, dhe mijëra shtigje me degët e shelgjeve vajtuese, përmes të cilave na përshëndesin engjëjt, pa i harruar ujërat e rrjedhshme, kur muzgu na i përkujton tokat tona amtare, të cilat u bënë në mitologjinë e poezisë së Remzi Bashës gurë të çmuar në ritualin e komunikimit dhe vazhdimësisë midis disa sferave që na janë dhënë: lindja, dashuria, martesa, jeta dhe vdekja: Unë e di që një ditë/ Nuk do të jem/ Dhe do të kaloj të paktën një herë në vit/ Për të parë pyjet e tua të blirit/ Luginat, kodrat, brigjet/ Valët e detit, kallamishtet dhe ujërat/ Për të tundur trupin tim dhe mendimet e mia/ Si dhe sytë e mi me to/ Për të prekur qytetet e tua/ Si të përkëdhel librat e mi/ Si të jem në fluturim/ Rrëmuja e valëve/ Në kalimin e reve/ Qëllimi i largimeve dhe kthimeve/ Qëllimi i dashurisë.

Poeti është një kandil i pashuar që e shpërndan dritën e dashurisë. Në librin që po i referohemi, Remziu interpreton dhjetëra role, për një vetvete dominuese, duke filluar me atë të dashurisë përmes himnesh, lutjesh dhe psalmesh, dhe duke përfunduar me atë të shkrimtarit dhe mendimtarit, në luftë të përhershme me tundimet e fjalës, me etjen e universeve ideale, si një krijues i kthjellët, i vetëdijshëm për dritën e dashurisë: Ti je piktura ime/ Në shtratin e vargjeve/ Po ku je moj zana ime/ Që gjallëron me ëndërrime/ Drita e dashurisë kurrë nuk ndalet/ Kur nëpër re shëtisin dielli e malet/ Imagjinatë e fuqishme që s’do koment/ Sepse dashuria është si lojërat e fatit/ Që të lënë pa fjalë, pa lekë e pa mend!

Një motiv tjetër, motivi elementar në poezinë e Remzi Bashës është ai i dashurisë së madhe, reale dhe mistike, në emër të së cilës ne jemi pjesë e Krijuesit të Madh (Zotit). Nga ana tjetër, gruaja, e afruar si hije dhe dritë, ka për qëllim të pastrojë, të fisnikërojë ndjenjat, një krijesë magjike e fisnike që komunikon me hyjninë. Me një fjalë, ne jemi të përshëndetur nga e njëjta çmenduri e gruas që digjet për dashuri. Ky do të ishte çelësi për të lexuar poezi të jashtëzakonshme dashurie, në të cilat lexuesi e ka të vështirë të dallojë shenjat e shenjtërisë dhe sakrificës nga ato të ngërçit njerëzor. Ne mund të ilustrohemi përmes teksteve të tilla briliante. Përmes teksteve ku Lulet filluan të fshijnë gotën/ Për të parë që po vjeni/ Dashuri, përbërje misterioze/ Çfarë mund të shfaqet kur askush/ Nuk pritet, si një hije/ Si një dritë, si Biri i Njeriut/ Duke shkaktuar një bujë gëzimi/ Kur lulet e fshijnë gotën.

Remzi Basha operon me mendime dhe imazhe që janë pjesë e një repertori të materializimit të çiftit dhe fjalës, të dyfishuar nga një imazh romantik, kur e bashkon forcën për të përqëndruar në mesazhe dhe në vargje që përfshijnë një simbol dhe metaforë të natyrës, të fjalës, të dashurisë, të vetmisë, të shpirtit dhe dashurisë së madhe. Janë tekste emblematike për talentin e poetit për t'i kushtuar poezi zanafillës së poezisë dhe misterit universal të dashurisë të kredos së tij njerëzore dhe artistike, për të hedhur në letër magjepsje të muzikalitetit dhe të thelbit të jetës. Janë tekste të paharrueshme ekspresioniste dhe romantike. Në poezinë e Remzi Bashës, sidomos tani, kur vlerat njerëzore, morale dhe shpirtërore janë në një degradim galopant, është vizioni i Perëndisë së Dashurisë, e gjithëpranishme në botën e një poeti që jep autografe në fushat e grurit dhe lirit, në barin dhe pemishtet që i përkasin atij, në vreshtat dhe arat me misër, në pyje dhe ujëra, atje ku Zoti jep autografe duke e përdorur ylberin, në kohën kur zogjtë dhe bletët po prisnin, si dhe një lule që e dinte se engjëjt do të viijnë, së bashku me Poetin e Dashurisë. (Bukuresht, 25 prill 2021)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat