“Duo Lesage” në festivalin e muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Kultura

“Duo Lesage” në festivalin e muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 09:07
Foto nga vendngjarja

Mbrëmjen e së mërkurës, më 02.11.2022, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, në Shkup, u mbajt koncerti i shtatë me rradhë në kuadër të edicionit të pestë të  festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, dhe me mbështetje të Instituti francez në Shkup.  

Në këtë koncert publiku shkupjan, kishte mundësin të njihet me duon franceze, Duo Lesage, të përbërë nga Céline Lesage, në violinë, dhe Éric Lesage, në piano. Duo Lesage, njihen si dy virtuozë të violinës dhe pianos, të cilët janë partnerë në jetë dhe në skenë që nga viti 1998. Ata formojnë një nga duot më të dashura në rajonin Occitanie. Personaliteti i tyre pasqyrohet edhe në programet e pasura që ata prezantojnë: nga muzika artistike tek ajo popullore, nga stili klasik deri te muzika moderne.  

Duhet të theksohet që festivali “Skupi KamerFest” në çdo koncert po tërheqë vëmendjen e një publiku më të gjërë, i cili vazhdon të rritet në numër me prezencën e tij. Mbrëmjen e së mërkurës, përveç që salla e muzeut të luftës maqedonase ishte përplot, aty ishte prezent edhe ambasadori i Francës, Sh. T. z. Cyrille Baumgartner, me fjalën hyrëse të së cilit u hap zyrtarisht edhe koncerti.  

]Duo Lesage në këtë koncert prezentuan program të konceptuar sipas tyre nën titullin Paris-Transylvanie, i cili përfshinë pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve si: Jenö Hubay, Cѐsar Franck, Fritz Kreisler, dhe Oreste De Maurizi. Në vet përshkrimin e tyre për këtë program, ata sugjerojnë që „përgjatë dëgjimit të programit, të imagjinohet një udhëtim me trenin Orient-Express, ku me të cilin do të ndalohet në Pragë, Budapest, Bukuresht dhe Sofje”. Dhe pikërisht një përshkrim apo sugjerim i till është më se i sakt, sepse programi përfshinë pjesë nga literatura muzikore të tilla, që lehtësisht mundëson një udhëtim imagjinarë. Koncerti filloi me vepren Carmen Fantasie Brillante nga Jenö Hubay – i cili edhe pse njihej më së shumti si violinist, u dallua edhe si kompozitor, këtë vepër ai e shkroi në vitin 1877, në të cilën kërkohet një teknikë e konsiderueshme interpretative, e njejta është e strukturuar nga ariet dhe pikat kryesore të operës Carmen nga kompozitori francez Zhorzh Bize. Duke qëndruar ende në territoret franceze, Duo Lesage sollën sonatën për violinë në A-dur nga Cѐsar Franck, sonatë e cila pasqyron karakteristikat e periudhës së romantizmiz të vonshëm, ku përmban elemente specifike, një ndër to është momenti që forma ciklike e sonatës këtu zgjidhet në formë jo standarte, dhe funksionet e kohëve janë ridispozicionuara. Karakteristike tek kjo sonatë është momenti i pranisë së melodive lirike, jashtëzakonisht të bukura, me mbizotërimin e kromatikës në violinë. Në të njëjtën kohë, pianoja këtu  trajtohet jo vetëm si instrument shoqërues, por si i pavarur dhe i veçantë, ku së bashku krijojnë unitet.  

Pjesa e dytë e koncertit vazhdoi me “udhëtimin” nëpër Çeki dhe vendet sllave, me veprën Slavonic Fantasy nga Fritz Kreisler – Antonín Dvořák, mbështetur dhe ndërtuar në verzionin origjinal të pjesëve orkestrale Slavonic Dances, nga  Antonín Dvořák. Koncerti përfshiu dhe intepretimin e Hejre Kati, Scѐne de la Csardas no.4 nga Jenö Hubay, si dhe tri pjesë nga kompozitori dhe violinisti francez me origjinë italiane, Oreste De Maurizi, “Csardas Rhapsody”, “Chanson de Tania”, “Yarou Yarou”. Interpretimi i Duos Lesage, në bazë të programit që prezantuan, që trajtohet me peshë në krijimtarinë interpretative të këtij lloj formacioni kamertal, ishte korrekt në përcjelljen e energjisë, frymës, dhe karakteristikave estetike të profileve të veprave, i ndërtuar me ngrohtësi, lirizëm intim, dhe temperament të duhur. Ata sollën intepretim me frazime delikate, dhe teknikë e proekcion korrekt të veprave.  

Ky koncert, i cili u përcjellë me dëshirë kurreshtare nga publiku, në një ambient të rregulluar shumë ngrohtësisht, me qëllimin e intimiteti në mes interpretuesve dhe publikut, dhe në frymën kamertale të festivalit “Skupi KamerFest”, solli reagime të bujshme pozitive tek të pranishmit. Moment ky që dëshmon edhe njëherë për peshën e koncerteve të tilla, dhe nevojën e publikut të gjerë që sa më shumë ti ofrohen mundësi të tilla, që kontribojnë shumë në jetën artistike, shoqërore, sociale dhe kulturore të qytetit të Shkupit.  

Nora Bajrami, muzikologe 

Shoqata “Muza”, Shkup

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat