Hapet ekspozita me mozaik “Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë”

Kultura

Hapet ekspozita me mozaik “Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë”

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 22:39
Foto ilustrim

Në Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, të enjten përpara një numri të madh të artdashësve u shpalos ekspozita e tretë me mozaik “Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë” të punuar nga akademiku, Izet Zeqiri.

Një vështrim mbi këtë ngjarje ka shkruar edhe profesoresha e Historisë së artit, Jëlldëz Asani e cila e filloi kumtesën e saj me një thënie nga Nënë Tereza: “Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të”.

Në vështrimin e Jëlldëz Asanit thuhet: “Në këto kohëra të turbullta, kur kemi aq nevojë për dashuri, mirëkuptim, bamirësi, solidaritet dhe për më shumë qetësi shpirtërore, figura e Nënë Terezës është kthyer në një sinonim të dashurisë dh respektit të ndërsjellë ndërmjet njerëzve. Zemra e madhe e Nënë Terezës, dhe ledhatimet e duarve të saj shëruan aq shumë plagë shpirtërore të skamnorëve”.

Autori, Izet Zeqiri, ndonëse aludon teknikën e përzier, e njohur si opus mixtum, por meqenëse ka përdorur materiale të ndryshme në realizimin e veprave të tij, ai spontanisht arrin një version autentik të teknikës së mozaikut e njohur si opus varvaricum.

Figura e Nënë Terezës në këto vepra përcillet edhe me objekte të ndryshme profane dhe sakrale nga Çarshia e Vjetër dhe nga Kalaja e qytetit të Shkupit.

Virtytet, cilësitë e shpirtit, urtësia dhe dashuria e një gruaje shqiptare që përmes sakrificave rrezatojnë një madhështi dhe fuqi hyjnore pasqyrohen edhe më mirë në mozaikët të Izet Zeqirit.

Sidomos spikasin portretet në fjalë, në të cilët transponohet urtësia njerëzore, thellësia psikologjike, mishërimi hyjnor dhe buzëqeshja e saj e ngrohtë dhe e lehtë, nxjerrin në pah imazhe lehtësisht të identifikueshëm të saj.

Nëpërmjet ekspozitës së tretë të tij me mozaikë, që shprehë një homazh pamor monumental për shenjtoren tonë të madhe, Nënë Terezën, Izet Zeqiri, arriti që këtë personalitet emblematik të humanizmit në shkallë botërore, të na e kthejë nga Kalkuta në Shkup dhe ta përafroj artistikisht me publikun e vendlindjes së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat