U promovuan tre librat publicistikë të autorit dhe veprimtarit shqiptaro - amerikan, Hafiz Shala

Kultura

U promovuan tre librat publicistikë të autorit dhe veprimtarit shqiptaro - amerikan, Hafiz Shala

Nga: M.Lakna Më: 22 gusht 2023 Në ora: 20:02
Foto nga vendngjarja

Sot (e martë 22 gusht) në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” u promovuan tre librat publicistikë të autorit shqiptaro-amerikan, njëherit edhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare z. Hafiz Shala.

Librat me karakter publicistik të autorit Shala me titujt: “Opinione I”, “Opinione II” dhe “Opinione III” (Dëshmi ndër vite), u promovuan në praninë e një numri të madh të personaliteteve nga fusha e letërsisë, gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në përgjithësi.

Padyshim se në ceremoni nuk munguan as familjarët e z. Hafiz Shala, të cilët në çdo fjalë të të pranishmëve nuk mund t’i ndalnin lotët, ndërsa kujtonin vuajtjet e vështirësitë që ai i përjetoi nga regjimi serb për çka edhe u detyrua të merrte rrugën drejt mërgimit të largët për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse ishte larg fizikisht, z. Hafiz Shala nuk e ndaloi asnjëherë veprimtarinë atdhetare për Dardaninë e tij të dashur, që gjatë viteve të 90-ta po përballej me terror e dhunë nga Serbia. Dhe në vet fjalën e tij para të pranishmëve, Shala tregoi përjetimet e tij kur në vitin 1991 u detyrua ta linte Kosovën.

Madje për këtë ai zgjodhi t’i recitonte vargjet e të madhit Dervish Shaqa “Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lashë borë e gjeta dimër”! Nga ana tjetër, të pranishmit vlerësuan lart punën dhe kontributin e pashoq të publicistit Shala në përçimin e frymës së atdhedashurisë nëpërmjet shkrimeve e opinioneve të ndryshme që ndërlidhen me aktualitetin politik shqiptar.

Ata thanë se tre librat do të shërbejnë si një testament i çmuar për brezat e ardhshëm, nga ku do të mësohet dashuria e sinqertë e pa hile politike ndaj atdheut. Hafiz Shala i përket brezit të intelektualëve më të shquar të diasporës shqiptare, të cilët ndër vite ishin dhe janë zëri më i fuqishëm kundër dëmeve që rrezikon t’i pësojë Kosova nga proceset politike nëpër të cilat po kalon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat