Teatri Ilegal

Kultura

Teatri Ilegal

Nga: Merlin Tushe Më: 9 tetor 2023 Në ora: 15:52
Foto ilustrim

Pak ditë më parë, në Bibliotekën "Hivzi Sulejmani" në Prishtinë, u promovua Ekspozita "TEATRI ILEGAL" me autor Sovran Nrecaj. Regjisori Nrecaj, u përzgjodh nga thirrja për projekte artistike – DwP Creations. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, teatri në Ferizaj u mbyll për shqiptarët e Kosovës. Vendin e tij e mori pritja. Pritja për një shfaqje tjetër, për një tregim tëri, për një të ardhme ndryshe që nuk e përfshin luftën dhe krimet mbi njerëzimin. Edhe pse pritja mund të marrë formën e palëvizjes, ato vite në Kosovë mund të jenë gjithçka por jo palëvizje, ato janë tëkarakterizuara nga një forcë e pashtershme e vullnetit të popullit për të qenë i lirë e për të jetuar në paqe.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës në vitin 1989 iu dha shteg uzurpuesve të përjashtonin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga jeta dhe hapësira publike e qyteteve duke i segreguar ata në periferi ose nëpër geto. Në mes të këtij aparteidi shoqëror dhe kulturor u arrit të gjeheshin forma kreative të rezistencës paqësore. E tillë ishte edhe rezistenca e artit, ku shume artistë gjetën shprehje në ekspozitat në kafene, siç ka qenë Hani i Dy Robertëve apo teatri Dodona me një kalendar të pasur artistik. Aktorë e regjisorë dhanë shfaqje në hapësira të papërshtatshme, herë në shtëpi private, herë në qendra të kulturës të fshatrave ose në kishat katolike anembanë Kosovës. E gjithë kjo vazhdoi deri në vitin 1998 kur edhe shpërtheu lufta në Kosovë. 

Sipas z. Ndrecaj: "Kjo frymë dhe këto ide e veçanërisht në lidhje me të bërit teatër, idetë e mëhershme të Grotovskit dhe pastaj të Peter Brook me teorinë e teatrit të zbrazët janë ato që frymëzojnë idenë e një teatri paralel në Kosovë i cili jo në pak raste merr format e një teatri të vërtetë ilegal, ku aktorët, regjisorët, skenografë e të tjerë u ngjajnë disa kontrabandistëve që fshihen në klasa të zbrazëta të shkollave, në nënkulmin e shtëpive private apo në ndërtesa të kultit fetar siç ka qenë rasti i shfaqjes teatrale ‘Martirët e Karadakut’ në Kishën Engjëlli i Rojës në Ferizaj, qytet ky me një dashuri të veçantë për teatrin, rëndësisë së të cilit i kushtohet edhe dokumentari i ndarë në 3 pjesë".

Regjisori i ri Sovran Nrecaj, i cili po i ngjit me sukses shkallët e karrierës së tij Kinematografike e ndërton rrëfimin si një bisedë midis tre aktorëve të këtij teatri që mundohen të kujtojnë atë periudhë rezistence. Aktorët Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci rrëfejnë për shfaqjet e rëndësishme të kohës, për peripecitë e shumta gjatë provave si ato të shfaqjes së punuar nga Hafir Bislimi të mbajtura në shtëpinë e Ramush Hazirit ku pasi u zbuluan nga policët serbë u dërguan për pyetje në stacionin policor të qytetit ose shfaqja mbi vrasjen e vëllezërve Gërvalla ku çdo gjë ishte improvizim, që nga hapësira e gjetur për prova në shkollën Gjon Serreqi deri te mizanskena e sajuar me bankat e nxënësve. Në të vërtetë e gjithë kjo përpjekje si edhe vetë rezistenca e bërë do ta ketë theksin në improvizim, ashtu si aktori në skenë nëkërkim të frazës së harruar. Improvizimi është ai që e karakterizon shpëtimin e jetës kulturore gjatë sistemit paralel.

Z. Ndrecaj ka folur edhe per shtypin shqiptar se në mënyrë instiktive u gjetën të gjitha hapësirat e pamenduara dhe u ndërtua një teatër origjinal, e me pas vijon, "Duke e rikujtuar atë periudhë dhe duke e rindërtuar me anë të rrëfimeve vendosëm që edhe ekspozimi i këtij video-dokumentari të kishte një domethënie e cila e rikthen publikun në përjetimin e kohës në fjalë. Qëllimisht dokumentari është ndarë në tre pjesë të shkurtra dhe është vendosur brenda tre tendave të cilat janë elementi i parë që shihet në ekspozitë. Për shkak të ngjyrave të ndezura dhe pamjes moderne, tre tendat mund të duken si disa skena eksperimentale të teatrit bashkëkohor e megjithatë ato janë hapësira të improvizuara ngjashëm me ato në të cilat aktorë e regjisorë punuan gjatë sistemit paralel apo edhe me ato hapësira të improvizuara tëkampeve të refugjatëve, që e pasuan rezistencën dhe aparteidin. Rrëfimet, të vendosura secila në një hapësire të zbrazët të improvizuar, janë një homazh i drejtperdrejtë për atë kohë, ata artistë që e jetësuan dhe në veçanti atij teatri ilegal".

Kjo vepër është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike. Ky projekt u mbështet nga Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme. Kjo Ekspozitë u realizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. U hap me datë 6 Tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 Tetor 2023 në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat