Sekret, tepër sekret!

Kultura

Sekret, tepër sekret!

Nga: Agim Xh Deshnica Më: 25 tetor 2023 Në ora: 06:15
Agim Xh Deshnica

Atëherë u ndërtuan rreth e qark vendit, aq shumë bunkerë sa s’numëroheshin dot. Sheshet e ndërtimit u mbushën fytas me ta. Dhe, ç’ishte më e çuditshmja, bunkerët ishin sekret ushtarak! E ky qenkësh i shenjtë!

Mjaft djem besnikë e ruanin sekretin me fanatizëm.

Kur ndonjë prej tyre kthehej me leje në shtëpi me uniformën e marinarit, e rrethonin shokët dhe e pyesnin për jetën në marinë.

- Sa shokë ke në fjetore ti, Sofo?

- Është sekret ushtarak, mos më pyesni, s’jua them dot!

- Mirë, po kepele si kjo, që ke sot, a ke tjetër?

- Edhe ky është sekret!

Sa herë dilni në det me motovedetat ruse atje? Sa të shpejta janë ato?

-Aaaa,ç’ju qenka shkrepur kështu? Ç’më jeni qepur me këto pyetje, për të zbuluar sekretet ushtarake?!

Kështu ndodhte edhe me bunkerët. Sekret - numëri i tyre, sekret - kostoja e tyre, sekret - vlera!... Projektet e bunkerëve ruheshin nëpër kasaforta të fuqishme, siç qenë edhe ata vetë. Megjithatë, udhëheqja e partisë përhapte fjalë nëpër popull se çdo bunker u takonte jo më shumë se tre vetëve. Kaq i madh ishte kujdesi i shtetit për njeriun, si kapitali më i çmuar! Pra, ata, bunkerët siguronin strehimin dhe fjetjen e tërë shqiptarëve, në raste sulmesh të papritura me topa, tanke e bomba nga ana e armikut, i cili, sikurse dihej, edhe kur uji flinte, ai rrinte zgjuar. Dhe ishin aq të fortë bumkerët tanë, saqë nuk pyesnin as për bombën atomike. Dhe kjo s’ishte fjalë e kotë, se qenë bërë prova. Paskëshin futur brenda në bunker një kec të gjorë dhe e kishin qëlluar me topa të kalibrit të rëndë! Populli nisi të sajonte për bunkerët emrat: “Këpurdhë betoni”, “thelë portokalli”, “hotel pa para”…Kur ndonjë udhëtar e zinte nata rrugës, ia merrte me gjumë në bunker si s’ka më mirë. Por, bunkerët e bregdetit shërbenin gjatë verës për bukuri edhe si vila të posaçme. Veç, nuk mungonin edhe rrugaçë, që i përdornin për të kryer nevojat, duke i ndotur e përdhosur.

Lamçe Guri, nga fshati Darzezë ngjitur me Banjën, u shkoi pranë katër ushtarëve, që po ndërtonin një bunker në bahçenë e tij.

- Puna e mbarë, or djem! - u tha. - Ju lumshin krahët!

- Mbarë paç, xhaxha! - ia kthyen uishtarët.

Lamçja iu drejtua ushtarit më të gjatë:

- T’i je i pari i këtyre, or bir ?

- E, unë jam!

- Po nga të kemi?

- Nga Shëmbërdhenji.

- Si të thonë?

- Kamber!

- Ta gëzosh! Po yt atë ç’emër ka?

- Isuf Holta.

- Ua, ua! Po pse çuni i Isufit qenke ti!? Po unë jam mik me babanë tënd, ore, mik e shkuar mikut!

Tha kështu Lamçe Guri dhe doli tek donte:

- Sa kohë, xhanëm, do të qendrojë në mes të bahçesë time ky bunkeri?

- Ç’të të them! Më sa di ti, dimë edhe ne, që po e bëjmë!

- Po, ele - ele, sa bunkerë janë ngritur gjer tani në fshatin tonë?

- Aaaa, këtë pyetje mos ma bëj, të lutem shumë! Është sekret ushtarak!

- Jo, or, jo! Por, a më thua dot se me tërë atë çimento e hekur, që ka ky bunker, a u bën dot ballë gjyleve të topit?

- Sigurisht, sigurisht! Se nuk kursehet gjë për bunkerin! Me materialet që ha ky, mund të çohet në këmbë një shtëpi me dy kate!

- Pa shiko, pa shiko! E po, duke i pasur këta, na e marrka të keqen armiku, thuaj!

Të nesërmen, sapo hëngrën groshën e mëngjesit, oficeri i mensës e njoftoi ushtar Kamberin që të paraqitej menjëherë në zyrën e komisarit.

Kamberi shkoi dhe, kur arriti, sapo hapi derën e zyrës, u gjend përballë tre oficerëve pa kepele.

- Shoku komisar, sipas urdhërit tuaj, ushtar Kamber Holta ju paraqitet! - tha ai në qëndrim gatitu, duke nderuar me grusht mbi vsh.

Kaluan disa çaste në heshtje, pastaj komisari u ngrit në këmbë dhe, ndryshe nga herët e tjera, i bërtiti:

- Je i arrestuar! Merr vesh? Të hënën do të dalësh para gjyqit ushtarak!

- Unë!? Pse!? Ç’paskam bërë!?

- Ke guxuar të nxjerrësh jashtë sekretin ushtarak për bukerët dhe je marrë me axhitasion e propagandë!

- S’është e vërtetë, shoku komisar!

- Hajt, pusho, se nuk ia fusim në tym ne! Kemi dëshmitarë tre ushtarët që punojnë me ty dhe Lamçe Gurin nga Darzeza! Tani e pata këtu, në zyrë!

Kamberi u trondit. Njëri prej ushtarëve ishte shoku i tij më i ngushtë, kurse Lamçja, siç i tha vetë, qenkësh mik e shkuar mikut me të atin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat