Pelegrini Sami Mulaj

Kultura

Pelegrini Sami Mulaj

Nga: Kastriot Fetahu Më: 22 prill 2024 Në ora: 13:49
Autori Kastriot Fetahu

Mikpritja shqiptare nxit ndjenjën e besimit te cilido që viziton trojet tona të bekuara, dhe askush nuk e mohon dot anën mistike shekullore nga e cila buron kjo ndjesi me ngjyra hyjnore. Është ky mendim që të kaplon dhe ecën paralelisht me ty si lexues, kur je duke lundruar përgjatë detit poetik të autorit Sami Mulaj, i cili përcjell në këtë aspekt frymën e Lord Byron dhe Edith Durham. Poetët janë në vetvete agnostikë të një sekti të veçantë, ku zotin e kanë zëvendësuar me poezinë, dhe duket sikur i dërguari i tyre është Homeri i "Iliadës" dhe "Odiseut" në botën e tyre. Këtë mendim më sjell poezia e Poetit Sami Mulaj.

Me një stil aspak aristokrat, që merr ngjyra të tilla në kundërshtim me poezinë klasike atdhetare, Mulaj vjen si emrat e rilindjes kombëtare në një standard dialektik, kur i këndon vetmisë së Bjeshkës, apo Lisit të braktisur me një epizëm të "vrarë" me dashurinë e vjetër për vendlindjen. Ai shkëputet nga stili deklarativ dhe shkruan duke përjashtuar idetë abstrakte të shekujve të kaluar poetikë, mbi baza racionale të fjalorit të kohës në një botë që edhe vetë është emigrante.

Poeti Mulaj përfshin një gjuhë burrërore për të revokuar rrënjët tona dhe idenë se ngulimet shqiptare nëpër botë do ta sfumojnë Dardaninë e tij. Në poezinë "Bjeshka është tek unë" ravijëzon pafundësinë e limitit shpirtëror kur shkruan…

"Vetmia e shpellave,

logjet e zanave e gurrat,

kumonët e jehona e majave,

kreshtat e rudinat,

flladi e tamli në c.cë

fyelli i rapsodit e heshtja e gurit,

kanë formuar diçka, që është shumë e madhe,

tek unë e tek ti, që nuk ka stuhi as vuajtje ta fshijë,

që quhet shqiptari."

Poezia e tij është pasionante dhe duket sikur ruhet në zemrën e Alpeve nga çdo invazion globalist që fshin kufijtë shpirtërorë. Heterogjeniteti i tematikës përfshin gjithçka që ka emërues të përbashkët: mikpritjen e vendlindjes së tij. Madje edhe lirikat e dashurisë janë me shijen e Rozafës dhe lotin e qumështit të saj. Patriotizmi është një fjalë që duket sikur është shpikur në gjuhën tonë dhe është shkruar me gjak ilirësh në mungesë të bojës së shkrimit. Ndaj në poezinë "Kafshata e fundit" ai shkruan:

"Mollë e kafshuar Atdheu hedhur në rrugë, mizat turi daltë e gërryjnë gerdhamën, putrat e endacakëve e shtyjnë njerën kembë e çojnë e pshurrin mbi të rigë, kalimtarët e dehur të natës sterrë e pshtyjnë."

Sa dhembje dhe revoltë ka në shpirtin e poetit për të ruajtur lirinë e Bjeshkës së tij të dashur. Stigmatizimi duke personifikuar gjithçka negative që rreket të humbë ngjyrën e vendlindjes e detyron poetin të lëshojë "SOS" dhe revokojë Atdheun si vendi i vetëm i zotave për ne. Autori Mulaj shkruan poezi që t'i sendërtoj vetes si objekt të tij, t'u jepte hijeshinë risisë gjërave të përditshme dhe të rizgjoj një ndjenjë hyjnore të mbinatyrshme, të vëmendjes e mendjes nga letargjia e zakonit të çdo emigranti, duke e drejtuar atë drejt bukurisë dhe mrekullive të vendit nga vijmë krahasuar me botën ku shkojmë. Ekzistencializmi i tij poetik nuk përfshin vetëm kufijtë tanë, por ngjyros kuqezi edhe përtej tyre kur shkruan për Dardaninë në poezinë "Valle Dardane", që më ngjan me Ali Podrimen…

"Në tirqet e bardha E në shaminë e valvitur Psherëtin koha... Qëndiset qielli Merr frymë toka Me vallet që ka Kosova..."

Duke lexuar vëllimet me poezi të poetit Sami Mulaj, nuk e di pse më solli në vemendjen time një poet të madh si Walt Whitman me poezitë e tij patriotike kur shkruan…

"Dëgjoj Amerikën duke kënduar Pionierë! O Pionierë! Kënga e sëpatës së gjerë Më jep diellin e heshtur të shkëlqyer"

Poetin Sami Mulaj më pëlqen ta quaj një rilindas të ri, sepse burrat e vërtetë nuk do ti mungojnë kurrë Arbërisë sonë, e cila ekziston njëherësh me Zotin, pasi sillet me personalitetin e tyre në poezinë e tij. Ai shkruan në varg të lirë, pasi rima duket sikur ia burgos dashurinë për Atdheun dhe lirinë e tij, sepse metrika e saj nuk "mat" dot kufijtë shpirtëror të poetit. Zgalemi ka krahët që pushton detin, poeti ka poezinë e shpirtit, që pushton Atdheun dhe nuk lejon skifterët e paatdhe të bujtin në bjeshkët e tij kryelarta që flasin vetëm me zotin. Kontrasti në poezinë e tij thekson se bora është më e bardhë në bjeshkë dhe qielli më i kaltër kur puth malet në vëndlindje. Balada e tij është kumti i njerëzve të zakonshëm të një vendi të jashtëzakonshëm, për botën e qytetëruar duke u ndjerë në barazinë e vlerave dhe mëvetësinë kombëtare, sepse patriotizmi në baladat e tij nuk është mesjetar apo i vjetëruar, por bashkëkohor në analogji të plotë si konceptet e reja teknologjike, ku materia e tij nuk janë celulat teknike, por bjeshka dhe toka mëmë. Në brendësi të poezisë të autorit Sami Mulaj ndjeva se flamuri ynë valon në çdo cep të botës, sepse shqiptari e ka shkatërruar kufijtë e saj dhe udhëton me sytë e shpirtit në Atdhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat