Në QKMF-të e Podujevës ka mungesë të inermierëve

Lajme

Në QKMF-të e Podujevës ka mungesë të inermierëve

Më: 22 gusht 2022 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Të gjitha institucionet shëndetësore publike në vend kanë mungesë të infermierëve, e këtë gjendje e ka rënduar edhe më shumë koha e pushimeve vjetore. Situatë e njëjtë është edhe në shtëpitë e shëndetit të Podujevë, ku gjatë orarit të punës një infermiere përkujdeset për 40 pacientë. Në anën tjetër, të gatshëm për treg të punës nga të gjitha sektorët shëndetësorë janë rreth 20 mijë infermierë të licencuar.

Mungesa e infermierëve dhe koha e pushimeve vjetore kanë bërë që shërbimet në disa shtëpi të shëndetit në komunën e Podujevës të reduktohen, e madje ka raste edhe që janë mbyllur. Për vështirësitë e tyre gjatë punës infermierët e Qendrës Emergjente të Podujevës nuk pranuan të flasin, ndërsa drejtori i qendrave të mjekësisë familjare në Podujevë, Ymer Llugaliu, ka thënë se ka vite që nuk janë hapur konkurse të reja për pranimin e infermierëve.

“Sa i përket stafit të mesëm të infermiereve kemi mungesa të mëdha, pasi që Ministria e Shëndetësisë na i hoqi ata 23 infermierë që i patëm. Disa shërbime është dasht me i mbyll si ambulancën në Shtedime, në Halabak dhe Pollatë dhe stafin e njëjtë po duhet ta shfrytëzojmë për shërbime të përditshme”, ka thënë Llugaliu për RTK-në.

Zyrtarë nga Komuna e Podujevës thonë se aktualisht kanë 246 infermierë të punësuar, ndërsa për hapjen e konkurseve të reja nuk kanë mundësi buxhetore përveç rasteve të zëvendësimit të pozitave të pensionuara. Ndërsa kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemi, thotë se mungesë të infermierëve ka në të gjitha institucionet publike shëndetësore. Ai shton se institucionet përgjegjëse duhet ta hartojnë një strategji të detajuar dhe të shtohet numri i infermierëve të punësuar.

“Më të vërtet gjendja është shumë e rëndë në të gjitha këto institucione, në tri nivelet. Një numër bukur i madh i shërbimeve, ndoshta nëpër punkte të ndryshme qoftë fshatra është dashur të mbyllen, qoftë për shkak të mungesës së infermiereve por edhe e mjekëve, të cilët janë në specializime apo në pushime vjetore”, ka thënë Rrustemi.  

Për rreth 90 mijë banorë të komunës së Podujevës aktualisht në shërbim të tyre janë 93 infermierë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat