Serbëve iu ‘dhemb’ takimi i delegacionit të Kosovës Lindore me zyrtarët amerikanë – fajësojnë Kurtin

Lajme

Serbëve iu ‘dhemb’ takimi i delegacionit të Kosovës Lindore me zyrtarët amerikanë – fajësojnë Kurtin

Nga: F. B. Më: 15 tetor 2022 Në ora: 13:20
Albin Kurti

Milovan Drecun deputet dhe analist ka theksuar se “vizita e delegacionit të shqiptarëve në ShBA është edhe një përpjekje që situata në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc të politizohet”, shkruan “Kurir” transmeton “Bota Sot”.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nga jugu i Serbisë, kanë udhëtuar me harxhime të qeverisë së Prishtinës, në ShBA, për të lobuar për interesa të veta që ato të hyjnë në agjendën amerikane së bashku me Kosovën.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Ragmi Mustafa ka thënë se “është e mundur që Presheva, Bujanovci e Medvegja të jenë pjesë e agjendës amerikane, gjë që është shumë me rëndësi për zhvillimet në rajon dhe ngjarjet në Ballkan”. 

Mustafa, që është pjesë e delegacionit u shpreh se në rrjedhë është "ndërmarrja e hapave strategjikë”, ka njoftuar portali Bujanovci.

Mustafa ka shtuar se përkushtimin e përbashkët lidhur me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e mbështesin kryeministri i Kosovës Kurti dhe qeveria e tij.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është organizatë që merret me lobim për çështjet shqiptare, në Amerikë.

Kurti ka zbuluar se Prishtina financon udhëtimin e delegacionit shqiptar të politikanëve, me 35 mijë euro, shkruan gazeta serbe.

Kreu i Këshillit të Kuvendit për Kosovë Milovan Drecun tha për “Kurir”, se kjo është edhe një përpjekje që situata në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc të politizohet, dhe përkujdesja për pozitën e shqiptarëve në ato komuna nga institucionet kompetente të Serbisë të bartet te Prishtina, por edhe të ndërkombëtarizohet.

“Po shohim se po ndahen mjete për këtë, por janë vetëm përpjekje. Deri tash kjo nuk ju ka sjellë rezultate. ShBA janë mjaft të kujdesshme në atë çështje dhe nuk duan kurrfarë destabilizimi në rajon. Përkundër kësaj, Prishtina nuk heq dorë, dhe shërbehet me atë si presion shtesë mbi Beogradin. Përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi, kanë bërë zgjidhje të gabuar, sepse rruga e mbrojtjes së të drejtave të tyre shkon përmes Beogradit dhe jo përmes Prishtinës”, tha Drecun.

Përndryshe, mësohet se delegacioni i liderëve të shqiptarëve nga Presheva e Bujanovci, do të takohen në Uashington me të dërguarin special amerikan për Ballkanin, Eskobar dhe disa zyrtarë të tjerë, ka njoftuar portali Jugpres.

Në delegacion janë deputeti dhe kreu i Partisë për Veprim Demokratik Shaip Kamberi, kreu i komunës së Bujanovcit dhe Partisë Demokratike Nagip Arifi dhe lideri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Preshevës Ragmi Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat