Listës Serbe i “lëkunden këmbët”, fyerje e fërshëllima kundër tyre në miting

Lajme

Listës Serbe i “lëkunden këmbët”, fyerje e fërshëllima kundër tyre në miting

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 15:11
Pamje nga veriu i Kosovës

Pas krizës së fundit në veri të Kosovës, për të parën herë liderët e Listës Serbe janë përballur me fyerje, fërshëllima e thirrje “tradhti”.

Qytetarë të pakënaqur i kanë kundërshtuar së fundi hapur krerët e forcës kryesore politike të serbëve në Kosovë, e madje ka pasur edhe thirrje kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me mbështetjen e të cilit kjo forcë politike u krijua 10 vjet më parë.

Gjatë një dekade të plotë në pushtet Lista Serbe udhëhoqi protestat e shumta e madje edhe vendosjen e barrikadave me qëllim kundërshtimin e autoriteteve kosovare.

Gjithçka nisi në 29 maj, kur serbët filluan të protestojnë para ndërtesave komunale, për të mos lejuar që kryetarët shqiptarë të shkojnë në punë. Atë ditë, në Zveçan pati konflikt mes serbëve dhe KFOR-it, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Listës Serbe për të pranuar kërkesat e misionit ushtarak të NATO-s dhe për të lejuar evakuimin e disa pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët ishin në autoblinda, në mes të turmës.

Më pas, në 13 qershor, disa pjesëtarë të komunitetit serb tentuan të sulmojnë fizikisht kryetarin e kësaj partie, Goran Rakiç. Kjo ndodhi pas arrestimit të Milun Milenkovicit në Mitrovicën e Veriut, për të cilin Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës pretendon se ishte një nga organizatorët e sulmit mbi KFOR-in. Ndërkohë, në platformën online Telegram po përhapen së fundi mesazhe kundër Listës Serbe.

Në një video të datës 13 qershor, të publikuar në një kanal të këtij rrjeti, të quajtur “Ariu sllav”, në përshkrim thuhet: “Serbët po nisin kryengritje kundër Listës Serbe”, e kjo shoqërohej me thirrjen: “Shpërndarja e kësaj videoje është e detyrueshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat