Ja të fshehtat e errëta të “Ballkanit të Hapur”, si po kërkohet të vendoset një monedhë e përbashkët në të gjithë rajonin

Lajme

Ja të fshehtat e errëta të “Ballkanit të Hapur”, si po kërkohet të vendoset një monedhë e përbashkët në të gjithë rajonin

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 10:33
Liderët që e përkrahen “Ballkanin e Hapur”

Dita-ditës zbulohen planet e vërteta të projektit të errët “Ballkani i Hapur” që mban emrin e Serbisë dhe Rusisë.

Presidenti i Beogradit Aleksandër Vuçiç futi në valle kryeministrin Rama për të shkaktuar skandalin dhe tradhtinë më të rëndë kombëtare, skandal i cili për nga përmasat e tejkalon shitjen e Shën-Naumit nga Zogu, shitjen e Shkodrës nga Esat Pashë Toptani dhe shitjen e detit Greqisë.

Projekti i Ballkanit të Hapur ringjall Jugosllavinë famëkeqe dhe kalimin e Shqipërisë si pjesë e saj. Lider sërish synohet të jetë Serbia, pasi ajo dominon Ballkanin për nga fuqia ekonomike. Kanë qenë po serbët që kanë zbardhur planin që po përgatitet për rajonin, ku nëse heqim një paralele, Shqipëria kthehet në skenarin ogurzi të vitit 1946.

Monedhë  e përbashkët evropiane

Edhe pse për Ballkanin e Hapur është folur për bashkëpunim ekonomik, qëllimet e Beogradit janë diku tjetër. Kryetari i Lëvizjes Rruga Evropiane, Rade Basta, hodhi idenë në mediat serbe që për anëtarët e nismës Ballkani i Hapur të ketë një monedhë të përbashkët.

Pra Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria do të qarkullojnë një monedhë të veçantë ndryshe nga vendet e tjera.

“Kjo mund të bëhet përmes futjes së një monedhe të veçantë për vendet e Ballkanit të Hapur në mënyrë që vendet t'i afrohen edhe më shumë dhe kjo monedhë të jetë në dobi të synimeve tona të përbashkëta, që është anëtarësimi i plotë në BE”, u shpreh ai. Ai vlerësoi se nisma e Ballkanit të Hapur duhet të shtrihet “në vendet e tjera fqinje dhe përreth”, sepse, sipas tij, vetëm një komunitet i fortë ekonomik është kompetent në tregun evropian dhe botëror.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është padyshim i njohur nga investitorët botërorë si një treg i dëshirueshëm dhe për këtë arsye është e nevojshme të zgjerohet kjo nismë, përveç Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Basta para pak ditësh. Pra Serbia kërkon të marrë në dorë rajonin dhe këtë po përpiqet ta realizojë me projektin e Ballkanit të Hapur.

Shqipëria drejt shembullit jugosllav të vitit ’46

Rruga për në Moskë, kalon nga Beogradi! Kjo shprehje qarkullonte shumë nëpër Ballkan, në mesin e viteve ’40 kur sapo kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Kjo shprehje nënkuptonte se pika e kontaktit të një prej superfuqive më të mëdha botërore, Bashkimit Sovjetik, ishte Jugosllavia e drejtuar nga një marshall, Josif Broz Tito.

Vendi i parë me të cilin Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike pas Luftës së Dytë Botërore ishte Jugosllavia. Regjimi i ri jugosllav e njohu regjimin e Tiranës më 28 prill 1945. Në të dy vendet në pushtet ishin partitë komuniste, me një përvojë bashkëpunimi që gjatë periudhës së luftës ku ishte vendosur një mision ushtarak jugosllav.

Po ashtu, komunistët jugosllavë konsiderohen si faktor i rëndësishëm në krijimin e Partisë Komuniste shqiptare që do të merrte pushtetin. Tito si drejtues i Jugosllavisë arriti të mbante nën kontroll të gjitha rrymat e grupimet që përbënin federatën e drejtuar prej tij. Gjatë këtyre viteve, Shqipëria u konsiderua si një satelit i Jugosllavisë.  Në periudhën 23 qershor-2 korrik 1946 kryeministri Enver Hoxha zhvilloi vizitë në Beograd, i shoqëruar nga 10 personalitete shqiptare të kohës, por gjatë kësaj vizite shmangu Kosovën. Në korrik të vitit 1946, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi.

Traktati u pasua nga një seri marrëveshjesh teknike dhe ekonomike që synonin integrimin e ekonomive shqiptare dhe jugosllave. Paktet siguruan koordinimin e planeve ekonomike,unifikimin doganor, standardizimin e sistemeve monetare dhe krijimin e një sistemi të përbashkët çmimesh. Pra skema e njëjtë që po kërkohet dhe me Ballkanin e Hapur. Në cilësinë e ekspertëve, të dërguarit jugosllavë u vendosën në institucionet e shtetit shqiptar.

Në Shqipëri nuk mungonin as reagimet kundër këtij bashkëpunimi, ashtu sikurse edhe mediat e huaja që nuk ngurruan që ta cilësojnë këtë marrëveshje si projekt skllavërimi për Shqipërinë. Gazetat turke e franceze e cilësuan këtë marrëveshje si të ngjashme me politikat e Musolinit në Itali apo si një nisje të planit të marshallit Josip Broz Tito për dominimin e Ballkanit.

E në fakt, Tito, një personazh atipik i politikës së Ballkanit kishte ambicie për të qenë një lojtar i dorës së parë në politikën botërore. Kjo “lojë” e Titos do të sillte më pas edhe përkeqësimin e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik e si rrjedhojë do të krijonte edhe mundësinë që Shqipëria t’i shmangej projektit që e parashikonte vendin si republikë të Jugosllavisë.

Ja si monedha e përbashkët shkatërroi ekonominë shqiptare

Problemi i parë që lindte në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve ekonomike shqiptare jugosllave ishte barazimi i monedhave të të dy vendeve.

Pengesë ishte shkalla e ndryshme e zhvillimit ekonomik, niveli i ndryshëm i pagave të punonjësve dhe çmimi i ndryshëm i mallrave në të dy vendet. Një ekip i posaçëm ekspertësh ekonomie ndërsa po diskutohej kjo çështje analizoi se kostoja e jetesës në një familje prej 4 vetash në Tiranë ishte rreth 408 franga shqiptare ndërsa në Beograd rreth 5200 dinarë.

Mbi bazën e këtij studimi, raporti real ndërmjet frangës dhe dinarit ishte 1 frang baraz me 12.5 dinarë. Në fund të negociatave u la që 1 frang të ishte i barabartë me 9 dinarë jugosllavë.  Për të realizuar barazimin e dy monedhave në korrik të vitit 1947 sistemi monetar i Shqipërisë me bazë frangun u zëvendësua me sistemin monetary me bazë lekun sipas këtyre raporteve, 1 frang baraz me 9 lekë, baraz me 9 dinarë.

Në këtë mënyrë, emri Frang i monedhës shqiptare doli nga qarkullimi duke lënë vetëm emërtesën lek. Në të vërtetë barazimi i lekut me dinarin mbeti i rremë sepse vlera e lekut në treg ishte më e fortë se ajo e dinarit.

Dëmet që iu shkaktuan Shqipërisë nga barazimi joreal i lekut me dinarin qenë të mëdha. Vetëm si pasojë e vendosjes së raportit të këmbimit në dëm të lekut ekonomia shqiptare llogaritet që të ketë humbur 882 milionë lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat