Prokurorisë serbe për Krim të Organizuar, i është kërkuar ta marrë në pyetje Vuçiqin për masakrën në kafenenë “Panda” në Pejë

Lajme

Prokurorisë serbe për Krim të Organizuar, i është kërkuar ta marrë në pyetje Vuçiqin për masakrën në kafenenë “Panda” në Pejë

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 08:02
Aleksandar Vuçiq

Përfaqësuesi ligjor i prindërve, djemtë e të cilëve u vranë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, ka dorëzuar në Prokurorinë për Krim të Organizuar (PKO) kërkesën për dëgjimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e dëshmitarit.

Në kërkesë thuhet se prindërit kërkojnë që Vuçiq të dëgjohet në lidhje me deklaratat për masakrën në “Panda”, të cilat ai i ka bërë disa herë në media nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe “pothuajse e di” se çfarë ndodhi natën fatale në atë kafene.

Siç raporton Danas, si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Serbisë dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 dhjetor 2013, në emisionin “Teška reč” (Fjala e rëndë) në TV Pink tha: “Krimi në ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

Dy vjet më vonë, në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë, më 11 dhjetor 2015, Vuçiq tha se është pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”.

Prindërit kujtojnë gjithashtu se më 12 shtator 2017, Vuçiq kishte deklaruar publikisht se kishte “informata të caktuara” për atë që ndodhi në kafenenë “Panda” në Pejë kur u vranë gjashtë të rinj serbë.

Vuçiq në konferencën për shtyp tha se “informacione të caktuara flasin për”, siç tha ai, “autorët e mundshëm të krimit dhe se ato “nuk përputhen me atë që është komunikuar”.

“Unë nuk jam prokuror dhe nuk mund të flas për këtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai e di “çfarë mund të ketë ndodhur”.

Atëherë, ai tha se edhe organet kompetente kishin “informata të caktuara” për atë krim, thuhet në arsyetimin e kërkesës për marrjen e Vuçiqit në pyetje.

Prindërit cituan edhe deklaratën e Vuçiqit nga 1 nëntori 2018 për TV Prva:

“Ne kemi informacione dhe oficerët tanë po hulumtojnë për informacion të plotë. Ne po bëjmë gjithçka dhe ata [prindërit] të jenë të sigurt se nuk do ta fshehim të vërtetën. Nëse janë shqiptarë apo serbë”, tha ai.

“Vuçiq duhet të merret në pyetje veçmas, duke marrë parasysh përmbajtjen e deklaratës së tij të datës 28.12.2013, e cila është dhënë gjatë kryerjes së funksionit të shefit të Byrosë për Koordinim të Shërbimeve të Sigurisë dhe si e tillë ka peshë të veçantë dhe mund të kontribuojë në konstatimin e gjendjes faktike në këtë fazë të procedurës”, ka theksuar Niniq.

25 vite më parë, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 20:00, dy sulmues të maskuar hapën zjarr me automatikë ndaj mysafirëve të kafenesë “Panda”, shumica e të cilëve ishin nxënës të shkollave të mesme nga Peja.

U vranë Ivan Obradoviq (15), Zoran Stanojeviq (18), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetisllav Ristiq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Dragan Trifovic (18).

Të plagosur rëndë mbetën Vladimir Lonçareviq (18) dhe Mirsad Shaboviq (34), ndërsa Nikolla Rajoviq (18) ishte plagosur lehtë.

Disa ditë pas krimit, Sigurimi i Shtetit arrestoi dhe si të dyshuarnjë grup shqiptarësh të zonës, por ata u liruan nga paraburgimi për mungesë provash.

Nënkryetari i Qeverisë Federale të RFJ-së, i ngarkuar për Kosovën, Nikolla Shainoviq, atëherë kishte njoftuar se rasti “Panda” është zgjidhur.

Prindërit e djemve të vrarë më shumë se dhjetë herë i kanë kërkuar presidentit Aleksandër Vuçiq që t’i pranojë në takim, por përkundër disa premtimeve publike se do ta bëjë këtë, ai deri më tani nuk ka folur me familjarët e viktimave.

Hetimi për masakrën në kafenenë “Panda” ka nisur vetëm në nëntor të vitit 2015 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd.

Deri më tani janë dëgjuar rreth 40 dëshmitarë, por nuk është ngritur asnjë akuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat