Filmi i gjatë i regjisorit Erblin Nushi "I love you more" shfaqet më 25 gusht

Lajme

Filmi i gjatë i regjisorit Erblin Nushi "I love you more" shfaqet më 25 gusht

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 17:50
Foto nga vendi i ngjarjes

Është shfaqur për media filmi i gjatë i regjisorit Erblin Nushi “I love you more”, i cili rrëfen jetën personale të tij. Ky film, i cili do të shfaqet me 25 gusht për publikun, vë në pah rëndësinë e familjes në vendimet që marrin, mirëpo i njëjti, ka për qëllim edhe të vetëdjesojë qytetaret sa i përket komunitetit LGBT.

Në një konferencë për media, regjisori Erblin Nushi tregoi si ka lindur ideja për të realizuar këtë film.

“Zakonisht filmat që kam realizuar janë të gjitha të bazuara në jetën time personale, sepse e tregoj më së miri storien që më ka ndodhur mua dhe kam mësuar diçka prej këtyre në jete reale dhe mundohem ta përçoj atë mesazh që të mësojë edhe dikush që e sheh filmin. Ka shumë mesazhe brenda filmit, por një që kam filluar gjithë këtë rrugëtim ka qenë ajo që kam mësuar unë, raporti me prindërit që për pak, për shkak të një personi që unë as nuk e kam njohur kam qenë duke e humb familjen, por mirëkuptimi dhe afrimi me prindërit ka qenë e rëndësishme, sepse un nuk isha sot këtu pa mbështetjen e tyre”, tha mes tjerash Nushi.

Nushi titullin e filmit ia ka dedikuar nënës së tij, pasi siç tha si, vetëm ajo të do për së vërteti.

“’I love you more’, sepse veç nëna ta thotë dhe e beson me plot zemër. Unë si 17 vjeçar e kam prit prej dikujt që e kam takuar online, po veç prej nenës e kam marrë atë dehni”, vijoi Nushi./kp

Mes tjerash, ai tregoi edhe sfidat që kanë hasur gjatë realizimit të filmit.

“Është xhiruar në Pejë dhe Rugovë. Ka qenë sfiduese në aspektin se ndoshta është dashur edhe të gënjejmë disa vende prej lokacioneve se çfarë po xhirojmë, sepse momentin që e kanë kuptuar temën e filmit nuk kanë lejuar të xhirojmë. Kjo ka ndodhur edhe në vende publike, dikur e kemi dërguar deri tek Ministria e Kulturës, sepse filmi është i financuar prej Ministrisë së Kulturës dhe kemi qasje në vendet publike, dhe me pëlqimin e ministrit kemi xhiruar”, tha mes tjerash Nushi.

Ai po ashtu tha se ky film është shfaqur edhe në Kanadë, duke shtuar se reagimi i tyre ka qenë i mrekullueshëm.

Ndërsa, aktori Don Shala tha se ka qenë sfiduese ky rol, për shkak të pikëpamjes së shoqërisë në vend.

“Sfiduese është çdo rol. Kjo, normalisht se ka qenë më sfiduese marrë parasysh pikëpamjen e shoqërisë sonë për këtë lloj teme, por sërish është profesion dhe duhet respektuar. Ka qenë sfidë që ma ka shtyrë përpara”, tha Shala.

Aktorja, Irena Aliu është shprehur e kënaqur që filmi ka shkuar mirë.Shfaqja e filmit bëhet më 25 gusht për publikun në Cineplexx. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat