Pranojnë fajësinë katër të akuzuar në rastin “Subvencionet 3”, gjashtë të tjerë deklarohen të pafajshëm

Lajme

Pranojnë fajësinë katër të akuzuar në rastin “Subvencionet 3”, gjashtë të tjerë deklarohen të pafajshëm

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit në rastin “Subvencionet 3”, Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Salih Statovci, Afrim Abazaj e Kumrije Maxharraj janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa të akuzuarit Halit Avdijaj, Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi, e kanë pranuar fajësinë.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë në seancën e mërkurës, pasi që prokurori special Rafet Halimi lexoi përmbledhjen e aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, po akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.

I akuzuari Halit Avdijaj tha se e pranon fajësinë dhe shtoi se dhënien e ryshfetit e kishte bërë në formë dhurate.

“Nëse … me dhanë një sqarim, bëhet fjalë për një dhuratë, që e kam bo me vullnet, me vetëdije, po qysh ka ardhë deri tek kjo do të thotë kam apliku për grante 5 vite rresht në Ministri të Bujqësisë, nuk kam përfitu asnjë grant”, tha i akuzuari Avdijaj.

Ndërsa, i akuzuari Arbër Avdijaj deklaroi se e pranon fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës që i vihen në barrë.

Edhe të dy të akuzuarit Bejtush Gashi dhe Sadush Kabashi, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

Kurse, e akuzuara Kumrije Maxharraj e cila u deklarua e pafajshme, e quajti veten “të shenjtë” krahasuar me të tjerët.

“Me më krahasu me këta tjerët jam e shenjtë, jam e pafajshme”, tha ajo.

Të pafajshëm u deklaruan edhe të akuzuarit Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Salih Statovci dhe Afrim Abazaj.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Halit Avdijaj, Arbër Avdijaj, Bejtush Gashi dhe Sadush Kabashi, u pajtua prokurori Halimi, e më pas e aprovoi gjykatësja e rastit Valbona Musliu-Selimaj.

Po ashtu, Gjykata ka aprovuar edhe propozimin e mbrojtjes që ndaj të akuzuarve të cilët kanë pranuar fajësinë, të bëhet veçimi i procedurës.

Ndërkaq, të akuzuarit të cilët nuk e pranuan fajësinë gjykata i ka njoftuar se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me kërkesat eventuale, gjykatësja Musliu-Selimaj tha se do të vendoset me vendim të veçantë jashtë seance.

Paraprakisht në këtë seancë, gjykatësja Musliu-Selimaj, njoftoi se gjykata ka ftuar edhe përfaqësuesit nga Avokatura Shtetërore, mirëpo të njëjtit përmes një parashtrese më 1 shtator 2023, kanë njoftuar se nuk mund të jenë të pranishëm në seancë për shkak të ngarkesave në punë.

Mirëpo, sipas gjykatëses Musliu-Selimaj të njëjtit me shkrim ishin deklaruar se e mbështesin aktakuzën e Prokurorisë dhe se paraqesin kërkesë pasurore-juridike.

Për pjesën e veçuar me të akuzuarit që kanë pranuar fajësinë, seanca e radhës për shqiptim të dënimit u caktua më 13 shtator 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat