Do të urdhërohet sjellja me detyrim e dëshmitarit, shtyhet seanca për armëmbajtje pa leje ndaj ish-zyrtarit policor

Lajme

Do të urdhërohet sjellja me detyrim e dëshmitarit, shtyhet seanca për armëmbajtje pa leje ndaj ish-zyrtarit policor

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj dëshmitarit A.H, për shkak se i njëjti nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës, në rastin ku ish-polici M.S po akuzohet për armëmbajtje pa leje.

M.S akuzohej edhe për veprën penale veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, mirëpo për këtë vepër më 17 qershor 2011, kishte arritur parashkrimin absolut i ndjekjes penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit A.H, i dëmtuari S.Z ka thënë se i njëjti gjendet në shtëpi, mirëpo i kishte thënë se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Ndërkaq, gjykatësi Eroll Gashi ka thënë se dëshmitari A.H nuk i ka paraqitur gjykatës dëshmi për gjendjen shëndetësore të tij.

Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 27 shtator 2023.

Gjykatësi Gashi ka deklaruar se për seancën e radhës, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dëshmitarit A.H.Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por nga nëntori i vitit 2019, është duke u gjykuar në Departament të Përgjithshëm Penal, pasi që vepra penale me të cilën ngarkohet i akuzuari M.S tani gjykohet në këtë Departament.

Po ashtu në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe P.S, mirëpo ndaj tij rasti është veçuar sa ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 tetor 2005, nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, më 28 tetor 2010, M.S dhe P.S po akuzohen se me datë 17 qershor 2005, rreth orës 23:50 në Fushë-Kosovë, në korridorin e ndërtesës së banimit të të dy të akuzuarve M. S dhe P.S, të njëjtit pas një grindjeje me të dëmtuarin-dëshmitarin S.Z, i cili banon në të njëjtën ndërtesë, për shkak të zhurmës që është shkaktuar nga ana e të akuzuarve me dy partneret e tyre, ku në ndërkohë i dëmtuari Z. pasi ia tërheq vërejtjen dy të akuzuarve që ta ndalin zhurmën, të njëjtit me revolet e tyre zyrtare të policisë me dashje e kanë kërcënuar të dëmtuarin S.Z., duke ia drejtuar të njëjtat në drejtim të tij.E pas kësaj, thuhet se kanë filluar që ta rrahin, duke e goditur me revole në kokë e gjithashtu edhe me grushte nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç‘rast si pasojë e këtyre goditjeve të dëmtuarit Z. i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë rast të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje ngarkohen sa kanë kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, nposedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328 par. 1. lidhur me nenin 23 te KPPK-se, dhe “Lëndimi i lehtë trupore”, nga neni 153, par. 2 lidhur me par. 1, nënpar. 4 lidhur me nenin 23 të KPPK-ës.

Kurse për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, kishte arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale më 17 qershor 2011. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat