Bregu: Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit është t’i kthejë premtimet në realitet

Lajme

Bregu: Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit është t’i kthejë premtimet në realitet

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 16:10
Majlinda Bregu

Tiranë - "Përgjegjësia finale ligjore në procesin e ratifikimit të shumicës së marrëveshjeve dhe angazhimeve rajonale i takon parlamenteve. Kjo e bën të qartë edhe një herë më shumë nevojën për një angazhim më të fortë të parlamenteve në këtë proces, jo vetëm për të shtuar zyrtarisht legjitimitetin e tij demokratik, por edhe për t’i kthyer premtimet në realitet përmes procesit të ratifikimit të marrëveshjeve rajonale dhe shtyrjes së zbatimit të tyre.

Që parlamentet të jenë pjesë e Procesit të Berlinit, ka qenë një nga nismat që kam nisur, si deputete, në 2015 për të cilën sot jam e kënaqur teksa e shoh të bëhet realitet”- tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu, në Konferencën Parlamentare me temë “Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit” organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me mbështetjen e nismës së Dialogut Parlamentar të Procesit të Berlinit dhe RCC sot në Tiranë.

“Ndërsa vlerësojmë arritjet e bëra në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përcaktojmë të gjitha veprimet e nevojshme për të bërë më shumë hapa përpara me CRM 2.0 të ri dhe më transformues, ky është gjithashtu një moment kritik për parlamentet për të rritur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre dhe me qeveritë përkatëse, për të luajtur plotësisht rolin e tyre në këtë kuadër të ri të bashkëpunimit rajonal, i cili krahas integrimit brenda rajonit, do të synojë një aderim më të afërt në tregun e vetëm të BE-së”, përfundoi Bregu.

Në takimin ishin të pranishëm anëtarë të parlamenteve nga Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të organizatave dhe komiteteve rajonale dhe ndërkombëtare, që i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit të hënën, më 16 tetor në Tiranë, ku krerët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjeve të lëvizshmërisë me Marrëveshjen Rajonale për Njohjen e Ndërsjellë të Kualifikimeve Profesionale për infermierët, mamitë, farmacistët dhe kirurgët veterinarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat