​Hortikultura ndryshon emrin në Gjelbër, do të bëjë riciklimin e shisheve të plastikës

Lajme

​Hortikultura ndryshon emrin në Gjelbër, do të bëjë riciklimin e shisheve të plastikës

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Ndërmarrja Publike Lokale “Hortikultura”, pas 59 viteve ekzistimi ka ndërruar emrin në NPL “Gjelbër”, duke konsideruar që ky emër i përshtate më shumë fushëveprimtarisë së tyre.

Kryeshefja e NPL “Gjelbër”, Nora Cimili Gagica tha se ndryshimi i emrit erdhi si ide për një koncept dhe identitet të ri të ndërmarrjes, derisa shtoi ky ndërrim do të sjellë hapësirë dhe mundësi për zgjerimin e veprimtarisë.

Gagica: Ndërrimi i emrit do të shoqërohet me mundësi dhe hapësira të reja zgjerimi

"Nga java e kaluar Ndërmarrja Publike Lokale 'Hortikultura', ka kaluar në Ndërmarrjen Publike Lokale 'Gjelbër'. Kjo vjen si ide e re e konceptimit të ri të emrit dhe identitetit të ri të ndërmarrjes. Ndërmarrja për vite të tëra, e ka pasur për 59 vjet me radhë e ka pasur emrin 'Hortikultura' dhe ndryshimi i emrit të ndërmarrjes vjen si pasojë e mos përputhjes apo mos përshtatjes të emrit me fushë veprimtarinë në të cilën vepron ndërmarrja. Ndërmarrja i ka tejkaluar shërbimet e hortikulturës, dhe ka kaluar në mirëmbajtjen dhe ngritjen e hapësirave të gjelbra publike po ashtu edhe parqet. Si ndërmarrje mendojmë që vendimi për ndryshimin e emrit do të sjellë hapësirë dhe mundësi të mëdha për zgjerimin e ndërmarrjes, për konceptimin e strategjive, planave të biznesit më të avancuara", tha Gagica.

Gagica në një konferencë për media, tha se ndërmarrja “Gjelbër”, bënë mirëmbajtjen e hapësirave publike të gjelbra, parqeve, menaxhimin e deponisë për hedhjen e dheut, menaxhimin e tregut mobil përmes Drejtorisë së Bujqësisë, derisa shtoi se kryejnë edhe shumë shërbime të tjera.

Gagica: I kemi zgjeruar aktivitete tona në përkujdesjen e mjedisit dhe mirëqenien e komunitetit

"Ne si ndërmarrje përveç mirëmbajtjes së hapësirave publike të gjelbra dhe parqeve, i mirëmbajmë, i kemi dhe disa pika të tjera të cilat operojmë apo menaxhojmë me to. Ndër to janë, bëjmë menaxhimin e vendeve ku e kemi autoparkun, pastaj e bëjmë menaxhimin e deponisë së vetme për hedhjen e dheut, bëjmë menaxhimin e Tregut Mobil përmes drejtorisë së bujqësisë, ku i mundësohet fermerëve tanë shitja e produkteve tri herë në javë në lokacionet kyçe. Po ashtu, mirëmbajmë varrezat e Prishtinës dhe kemi qendrën e kompostimit në fshatin Butovc, afër Gërmisë...Si ndërmarrje kemi përqafuar një qasje më holistike, duke i zgjeruar aktivitetet tona, duke u përkujdesur më shumë për mjedisin dhe mirëqenien e komunitetit", potencoi Gagica.

Ajo shtoi se po punojnë në krijimin e projekteve të reja, ku si më të rëndësishmin përmendi inicimin e projektit për riciklimin e shisheve të plastikës.

Gjithashtu, pjesë e projekteve të kësaj ndërmarrje, u përmend edhe prodhimi i plehut organik dhe dekorativ.

Gagica: Do të bëjmë riciklimin e shisheve të plastikës

"Si ndërmarrje kemi disa projekte të cilat janë iniciuar këtë kohë. Një ndër projekte është projekti për riciklimin e shisheve të plastikës, është ndër iniciativat e para...Do të organizohet kolektimi apo mbledhja e shisheve të plastikës në shkollat fillore...Më pas do t'i riciklojmë dhe lënda e parë do të përdoret për kauza më të mira dhe solucione tjera të gjelbra. Përfundimisht si ndërmarrje do të jemi të koncentruar në zgjerimin e projekteve tona por edhe në përmirësimin e shërbimeve në qytet. Një pjesë e strategjisë, apo synojmë vitin e ardhshëm ta shtyjmë dhe ta zhvillojmë, është projekti i lulishtes", tha Gagica.

Ndërmarrja tashmë e quajtur “Gjelbër”, është krijuar më 29 maj 1964, duke u bërë pjesë integrale e peizazhit të Prishtinës. Në historikun e kësaj ndërmarrje thuhet se krijojnë dhe mirëmbajnë të gjitha hapësirat e gjelbra që përcaktojnë identitetin urban të qytetit, duke shtuar se udhëtimi i tyre përfshin dekada shërbimi, gjatë të cilave kanë evoluar në një ndërmarrje komunale me një portofol të larmishëm përgjegjësish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat