Pasi nisi mobilizimin e të rinjve, Vuçiq provokon sërish duke vizituar aeroportin ushtarak të Batajnicës

Lajme

Pasi nisi mobilizimin e të rinjve, Vuçiq provokon sërish duke vizituar aeroportin ushtarak të Batajnicës

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 16:29
Aleksander Vuçiq

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Serbisë kanë shpallur konkurs për të rinjtë që duan ta kryejnë shërbimin ushtarak për vitin 2024 – duke provokuar në këtë mënyrë pasi tensionet në Ballkanin Perëndimor janë në rritje viteve të fundit, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Përmes një njoftimi janë ftuar të rinjtë e moshës 19 deri në 30 vjeç që ta bëjnë këtë aplikim.

“Ftojmë të gjithë të rinjtë dhe të rejat e interesuara që do të jenë nga 19 deri në 30 vjeç në vitin 2024, dhe që nuk kanë kryer më parë shërbimin ushtarak me armë, të aplikojnë për shërbimin vullnetar ushtarak, si dhe për trajnimin ushtarak për oficerë rezervë”, thuhet në njoftim.

Këtij njoftimi i jepet konotacion nacionalist, ku thuhet se “kjo tregon patriotizëm ndaj Serbisë”.

Ndërkaq sot, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka vizituar bazën ushtarake ajrore në Batajnicë, transmeton Ballkani.info.

“Jam krenare për ushtrinë tonë dhe investimet e mëdha që po bëjmë. Serbia është një vend ushtarakisht neutral dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të jemi gjithmonë të aftë dhe mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur qiellin dhe tokën tonë. Dhe ne do të jemi gjithnjë e më të fortë në mbrojtje, si dhe në frenimin e çdo agresori të mundshëm”, ka thënë Vuçiq gjatë kësaj vizite, derisa ka parë nga afër aeroplanët dhe helikopterët ushtarakë.

Të kujtojmë se ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar se “ka informacione që Rusia po planifikon konflikt në Ballkan”.

Ndërkaq sot, ministri boshnjak i Mbrojtjes, Zukan Helez tha se ka kampe trajnimi ushtarak në zonën e Rogaticës, në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore dhe në zona e malit Magliq, të cilat ai pretendon se e ka dhe fotografi.

“Nuk është sekret, njerëzit e shohin, fshatrat përreth Rogaticës, njerëzit e fotografojnë, në mes të ditës që aty ka një stërvitje. Kam fotografi, do t’i shfaq në televizion”, tha Helez dhe shtoi se “nuk duhet të dërgojë fotografi që dokumentojnë ekzistencën e kampeve ushtarake”.

Po ashtu, sekretari i NATO’s, Jens Stoltenberg, kishte bërë një vizitë në Kosovë dhe Serbi ku kishte kërkuar nga dy shtetet që të jenë të hapura për dialog.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në platformën “X”, të martën për bazat ushtarake të Serbisë për rreth kufirit të Kosovës.

Më 24 shtator një grup terrorist në krye me Milan Radojçiq sulmuan Policinë e Kosovës, ku vranë policin Afrim Bunjakun, tashmë hero i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat