​Nxënësit nuk duhet fajësuar, testi PISA rezultat i ministrisë, shkollave dhe prindërve

Lajme

​Nxënësit nuk duhet fajësuar, testi PISA rezultat i ministrisë, shkollave dhe prindërve

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 10:53
Foto ilustrim

Rezultati zhgënjyes i testit PISA i vitit 2022, ishte i pritshëm për shkak të mospërpjekjeve serioze në sistemin arsimor nga Ministria e Arsimit në Kosovë, gjë që qeveria aktuale duhet të marrë si një alarm shtesë dhe të merret seriozisht me këtë situatë.

Kështu ka vlerësuar eksperti i arsimit dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, i cili tha se niveli i arsimit vjen në bazë të tre palëve, Ministrisë së Arsimit, shkollave dhe prindërve.

Sipas tij, nxënësit janë pala e fundit e cila duhet fajësuar për një nivel të ulët të testit PISA.

Pupovci në një intervistë për KosovaPress, u shpreh se ministria duhet të përmirësojë organizimin dhe llogaridhënien për çdo rezultat arsimor. Ai shtoi se edhe prindërit duhet të zhvillojnë një bashkëpunim me shkollat dhe fëmijët e tyre.

“Sigurisht që edhe rezultati është zhgënjyes, sepse nuk është i dëshiruari, mirëpo nuk është edhe i papritshëm duke marrë parasysh se në periudhën prej vitit 2018 kur ka qenë PISA e më hershme e deri në vitin 2022, kur është mbajtur. Për këtë test nuk janë bërë përpjekje serioze në përmirësimin e gjendjes në sistemin e arsimit.  E dimë që pandemia ka shkaktuar ç’rregullime të shumta dhe qysh në vitin 2020 banka botërore ka vlerësuar se nxënësit të cilët kanë marrë pjesë në mësim online do të marrin nëntë pikë më pak, ndërsa ata të cilët nuk kanë marrë pjesë do të kenë 16 më pak të PISA-së, do të ketë për atë vit shkollor, dhe kjo gjendje ka vazhduar edhe më tutje...E kemi një mungesë totale të llogaridhënies dhe përgjegjësisë në shkolla që mund të atribuohet ministrisë dhe drejtorisë komunale sepse ato mund të vendosin diçka të tillë, dhe nuk kemi përgjegjësi për rezultatet e dobëta. Këtu duhet të përmirësohet ministria, këtu luan rol edhe prindërit sepse suksesi i nxënësit është i shumë faktorëve nuk është vetëm meritë e shkollës është edhe angazhim i familjes, këtu thjeshtë kur vjen të leximi duhet të vijë një nxitje nga familja dhe mbi përdorimin e teknologjisë, duke i kushtuar më shumë leximit dhe bashkëpunimit me shkollën”, u shpreh Popovci.

Sipas tij, nxënësit janë produkt i ministrisë së arsimit dhe shkollave. Pupovci ka vlerësuar se në Kosovë ekziston një dallim i madh në mes të shkollave publike dhe private, edhe pse mësimdhënësit janë të njëjtë.

“Nxënësit llogariten të gjithë se lindin si të them me predispozita të njëjta, ata janë një brumë të cilët duhet të përpunohen me kalimin e kohës dhe me së paku këtë rast faj kanë nxënësit, ne jemi të priur t’i fajësojmë fëmijët, mirëpo, ajo është produkt i rrethit, nëse i shihni vendet e botës që arrijnë më shumë sukses, Singapori, aty familja vendos pritshmëri të larta dhe kërkon tek fëmijët që të mësojnë, tek ne familja se familja thuhet se dërgon në shkollë dhe le të kujdeset shkolla për ata. ... Sa i përket punës në shkolla, organizimit, ne kemi një dallim në mes shkollave publike dhe private në raport të shkollave private dhe aty janë mësimdhënësit e njëjtë që përcjellën në të dy shkollat, këtu e shoh organizimin si faktorë, aty mund të jetë një organizim më i mirë i punës, një disiplinë dhe përgjegjësi dhe suksesi nuk mungon... Mund të them se arsimi ka qenë një lloj prioriteti, mirëpo nuk po them që i kemi arritur të gjitha ato që janë planifikuar, mund të ketë pas ngadalësime, po sigurisht që tani e kemi një alarm shtesë në situatë shtesë, ku edhe qeveria duhet të alarmohet dhe duhet t’i kushtojë rëndësi krejt kësaj”, tha Popovci.

Kosova është renditur ndër të fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA. Ajo e ka zënë vendin e 74-të në matematikë - fushën kyçe në testim - dhe vendin e 76-të në lexim. Kosova ka pësuar rënie në performancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018.

Testimi realizohet me nxënës 15-vjeçarë nga 80 vende të ndryshme, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ndërsa mat aftësitë e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat